AlbanianSport.com 11.06.2016 13:50
ASNN – Shqiptarët kundër shqiptarëve në Shqipëri-Zvicër, duket se do të jetë përballja me emocionuese e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit. U stërvitën në të njëjtën fushë, pak orë përpara ndeshjes, por Taulant e Granit Xhakës u erdhi më në fund ora për t’u vënë përballë.
Bashkë me ta, Shqipëri-Zvicër ka edhe shumë histori njerëzish të vënë përballë të kaluarës së tyre. Kapiteni shqiptar, Lorik Cana, ndeshet me përfaqësuesen e vendit ku u rrit dhe mësoi futbollin, Shkëlzen Gashi luan kundër atij ekipi që mund të kishte qenë i tiji, dhe në kampionatin e të cilit ai fitoi dy herë “Këpucën e Artë”.
Veseli takon disa nga shokët zviceranë me të cilët u shpall “kampion bote” si 17-vjeçar. Nga ana tjetër, Zvicra do të ketë kundër edhe Armando Sadikun, ndoshta sulmuesin më të mirë të fazës së dytë të Superligës së saj. Në krahun tjetër ka po ashtu histori me nuanca shqiptare apo shqipfolëse.
Xherdan Shaqiri, mjeshtri i topit me origjinë shqiptare, Valon Behrami, si dhe dyshja Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi, pa harruar Shani Tarashajn. Ndeshja e dytë në “Euro 2016” ka edhe vlerë sportive. Zvicra është padyshim favorite, por parashikuesit theksojnë se ajo nuk e ka fituar kurrë ndeshjen e parë në 4 pjesëmarrje në Evropian.