AlbanianSport.com 22.06.2016 14:15
ASNN – Portugalia dhe Kristiano Ronaldo kanë sot mundësinë e fundit për një kualifikim në turin e 16-shes së Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Përballë tyre në “Stadë dë Lion” do të jetë kryesuesja e grupit Hungaria. Portugalia luan sot ndeshjen e jetës përballë Hungarisë dhe nuk mund të gabojë. Pas zhgënjimit në dy ndeshjet e para, përballë Islandës dhe Austrisë, duke regjistruar vetëm 2 barazime dhe 1 gol të shënuar, sot skuadra e trajnerit Fernando Santos do të kërkojë kualifikimin ndaj Hungarisë.
Edhe pse Kristiano Ronaldo nuk është në formë të mirë, trajneri Fernando Santos ka vendosur që ta aktivizojë nga minuta e parë, së bashku me Nanin. “Ndeshja me Hungarinë është si një finale për ne, – ka thënë trajneri portugez. – Duhet të fitojmë dhe, nëse ia dalim, marrim dhe vendin e parë në grup. Do të jetë një ndeshje e ngjashme me atë kundër Islandës. Nuk më intereson nëse luajmë mirë. Dua të fitojmë.” Në turneun e saj të parë, pas një mungese 30-vjeçare, Hungaria kryeson grupin F me 4 pikë.
Dhe sot do t’i mjaftojë një barazim për të kaluar në tjetër të këtij Evropiani. “Kush e mendonte që në do të kryesonim grupin pas dy ndeshjeve të para, ndërsa Portugalia do të luante kualifikimin ndaj nesh, – ka deklaruar trajneri gjerman i hungarezëve, Bernd Stork. – Ne duhet të jemi kompakt dhe të luajmë me zemër. Mendoj se kemi gjetur taktikën e duhur për t’i mundur.” Sfida e sotme është e 10-ta në historikun e këtyre dy skuadrave teksa Hungaria nuk ka arritur të fitojë asnjëherë.
Ajo ka marrë 3 barazime dhe ka pësuar 7 humbje. Anglezi Martin Atkinson do të gjykojë ndeshjen që do të luhet në “Stadë dë Lion”, duke nisur nga ora 18:00.