AlbanianSport.com 25.06.2016 18:40
ASNN – Polonia është skuadra e para çerekfinaliste e Kampionatit Evropian, finalet e të cilit po zhvillohen në Francë. Pas 120 minutash lojë të mbyllura me rezultatin e barabartë 1-1, përfaqësuesja polake ka arritur të fitojë falë 11-metrëshave ndaj Zvicrës. Nga pika e bardhë për zviceranët ka gabuar Granit Xhaka.
Kështu, Polonia arrin të kalojë në çerekfinalet e Evropianit francez, pasi ka mundur nga pika e bardhë Zvicrën. Për përfaqësuesen polake, kjo është një fitore historike, pasi për herë të parë arrin deri në këtë fazë të një veprimtarie të tillë madhore. Në Sent Etien, koha e rregullt e ndeshjes, së bashku me 30 minutat shtesë, janë mbyllur me rezultatin e barbartë 1-1.
Fillimisht shënojnë polakët me anë të Blazhçikovskit, në minutën e 38-të të takimit. Zvicra barazon me anë të Xherdan Shaqirit pas një goli spektakolar të realizuar nga sulmuesi shqiptar nga vija e 16 metrave të zonës kundërshtare. Megjithë rastet e shumta të krijuara, formacioni helvet nuk ka mundur të shënojë gola të tjerë brenda 90 minutave të kohës së rregullt.
Edhe pas 30 minutash shtesë nuk ka ndryshim rezultati, 1-1, dhe, kështu, skuadrat u drejtohen 11-metërshave. Për Zvicrën gabon nga pika e bardhë Granit Xhaka. Ky gabim i kushton Zvicrës kualifikimin, ndërsa polakët tregohen të saktë në të 5 goditjet dhe kalojnë në çerekfinale.