AlbanianSport.com 25.06.2016 14:55
ASNN – Evropiani francez rinis të shtunën me tre ndeshjet e para të vlefshme për turin e 16-shes së “Euro 2016”. Në orën 15.00 luhet dueli midis Zvicrës dhe Polonisë për të vazhduar me derbin britanik të orës 18.00, atë midis Uellsit dhe Irlandës së Veriut. Në mbrëmje, luhet supersfida Kroaci-Portugali.
Ballkanasit sfidojnë luzitanët e Kristiano Ronaldos. Pas dy ditësh pushim, Evropiani francez rinis me ndeshjet e para të vlefshme për turin e 16-shes. Në orën 15:00 luajnë Zvicër-Poloni. Të dyja skuadrat kanë arritur në këtë fazë të kësaj veprimtarie madhore për herë të parë në historinë e tyre.
Zvicra e mbylli me 5 pikë në Grupin A, dy pikë më shumë se kombëtarja shqiptare që nuk ia doli të vazhdojë më tej udhëtimin e saj. Ndërsa, Polonia ishte njëra nga katër skuadrat që arritën të grumbullojnë nga 7 pikë në fazën e grupeve. Në orën 18:00, në Stadiumin “Park de Princes”, luhet sfida Uells-Irlandë e Veriut.
Derbi britanik pritet të dhurojë emocione në fushë, ndërsa të ethshme janë pritshmëritë e dy tifozerive, sidomos jashtë stadiumit. Ndeshjet e së shtunën mbyllen me supersfidën, Kroaci-Portugali e cila nis në orën 21.00. Një tjetër duel ku është e vështirë të përcaktohen favoritët.
Ballkanasit që zhvilluan një fazë të parë të shkëlqyer sfidojnë luzitanët e Kristiano Ronaldos në stadiumin e Lensit.