AlbanianSport.com 11.06.2016 10:50
ASNN – Masat e sigurisë në hyrje të “Stade de France” në Sent Denis kanë qenë shumë të rrepta për ceremoninë e hapjes dhe ndeshjen e parë të Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit.
Të gjithë u janë nënshtruar kontrolleve personale, ndërsa të gjitha makinat janë ndaluar dhe kontrolluar në mënyrë shkencore. Edhe hyrjet për gazetarët e parkingjet zyrtare nuk i kanë shpëtuar kontrollit të policisë.
Disa orë para fillimit, edhe zyra e shtypit e stadiumit u evakuua për një kontroll anti-eksploziv. Gazetarët u ftuan që të braktisnin sallën për një mbikëqyrje sa më të imtësishme.
Ndërkohë, përreth impiantit ndodhen të parkuara disa dhjetëra autoblinda të policisë, ndërsa trupa ushtarake anti-turmë patrullojnë çdo perimetër të stadiumit të kryeqytetit francez.