AlbanianSport.com 12.06.2016 14:55
ASNN – Dita e tretë e Kampionatit të 15-të Evropian të Futbollit, që po mbahet në Francë, do të nisë me ndeshjen e orës 15:00, midis Turqisë dhe Kroacisë, ndeshje kjo, që është e vlefshme për grupin D. Ndërkohë, në mbrëmje luhen dy takimet e tjera dhe, duke nisur nga ora 18:00, zhvillohet takimi hapës i grupit C, midis Polonisë dhe Irlandës së Veriut.
Në këtë sfidë, polakët e udhëhequr nga sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Robert Levandosvki, shkojnë si favoritë, por, irlandezo-veriorët, ashtu sikundër kanë bërë edhe në Eliminatore, kanë treguar se janë të aftë të bëjnë surpriza. Natyrisht, vëmendja sonte është përqendruar tek takimi i mbrëmjes, ku kampionia në fuqi e botës dhe një nga pretendentet për kurorën kontinentale këtë verë, Gjermania, përballet me Ukrainën.
Gjermanët, që vijnë në pjesëmarrjen e tyre të 12-të radhazi në këto 15 Kampionate Evropiane, ende nuk e njohin humbjen përballë ukrainasve në ndeshje zyrtare, pasi në 4 përballje kanë korrur dy fitore dhe kanë marrë edhe dy barazime. Ndërkohë, vlen të theksohet se bilanci i trajnerit gjerman në ndeshjet e para në 4 veprimtaritë e fundit madhore, në dy Evropianë dhe në dy Botërorë, është i jashtëzakonshëm, pasi skuadra e tij i ka fituar të 4 takimet.