AlbanianSport.com 13.12.2015 17:35
ASNN – Shorti i fazës finale të Kampionatit Evropian “Francë 2016”, e ka vënë Shqipërinë përballë skuadrave të Francës, Rumanisë dhe Zvicrës, skuadra aspak të lehta dhe me histori në futbollin evropian. Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Paris, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, Xhani Infantino, është hedhur shorti i fazës finale të Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Midis 24 skuadrave pjesëmarrëse për herë të parë bën pjesë edhe Shqipëria. Kuqezinjtë dhe gjithë shqiptarët kanë mësuar tashmë se cilët do të jenë kundërshtarët e tyre në “Francë 2016”. Franca, Rumania dhe Zvicra janë skuadrat e grupit A, me të cilat do të përballet Shqipëria në fazën e parë të finaleve. Sipas kalendarit të përcaktuar më parë, kuqezinjtë do të ndeshen fillimisht me Zvicrën, më pas me Francën dhe ndeshja e tretë do të jetë me Rumaninë.
Nga katër skuadrat e çdo grupi, dy të parat në renditjen përfundimtare kualifikohen direkt për më tej, ndërsa këtyre do t’u bashkohen edhe të tretat e renditura më mirë. Ndërkohë, i ndodhur në Paris, trajneri i Shqipërisë, Xhovani De Biazi është shprehur: “Do provojmë të japim maksimumin nuk kemi asgjë për të humbur”. Ndërsa Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka thënë: “Do të mundohemi të bëjmë më të mirën”.