AlbanianSport.com 10.02.2015 20:25
ASNN – Për herë të parë, Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dënuar dy futbollistë të skuadrave të kategorisë superiore. Bëhet fjalë për portierin e Teutës, Alfred Osmani dhe mbrojtësin e Elbasanit Arjan Pisha. Të dy lojtarët u dënuan me 6 muaj pezullim nga aktiviteti, me akuzën për komplotim në influencimin e rezultatit të ndeshjeve.
Pas disa seancash maratonë, Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë disa vendime në lidhje me ndeshjet e javës së 19-të të Kategorisë Superiore, të përfolura si të trukuara: Flamurtari-Teuta, Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani. Etika në FSHF vendosi që portieri i Teutës, Alfred Osmani, për komplotim në influencimin e rezultatit të ndeshjes Flamurtari-Teuta, në kundërshtim me etikën sportive, dënohet me 6 muaj pezullim nga aktiviteti.
Me njëjtin motivacion, edhe lojtari i Elbasanit, Arjan Pisha, dënohet me 6 muaj. Ai akuzohet për komplotim në influencimin e rezultatit të ndeshjeve Elbasani-Teuta, Elbasani-Skënderbeu dhe Kukësi-Elbasani. Po kështu, Komisioni i Etikës vendosi të depozitojë një kallëzim penal për Klubin e Futbollit “Elbasani” dhe futbollistin Arjan Pisha. Në lidhje me ndeshjen Flamurtari-Teuta , u rezervua e drejta për kallëzim penal pasi çështja ka filluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë.