Nga Gjergj Vyshka 22.04.2015 08:25
Skandali, Ilion Lika pezullohet 6 muaj pa u aktivizuar! Portieri i kuqezinjve nuk ka qenë tek ndeshja Partizani-Flamurtari 2-1. Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit duket se dje ka qenë tërësisht pa etikë, teksa ka dënuar një lojtar, i cili nuk ka luajtur në një ndeshje të caktuar. Me akuzën “për komplotim në influencimin e rezultatit”, Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka dënuar me 6 muaj portierin e Flamurtarit, Ilion Lika, kapitenin e Elbasanit, Ganiol Kaçuli, si dhe futbollistin e Partizanit, Arben Muskaj.
Portieri i kuqezinjve është akuzuar për ndeshjen Partizani-Flamurtari 2-1, luajtur më 4 mars 2015, si dhe për ndeshjen Kukësi-Flamurtari 4-0, e cila është zhvilluar më 16 mars 2015. Ndërkohë Muskaj është dënuar 6 muaj për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Laçi-Partizani 3-0, e cila është zhvilluar më 18 shkurt 2015. E vërteta është se janë thirrur disa prej futbollistëve të dënuar, por jo të gjithë, ndërsa skandali është se dënohet Lika gjashtë muaj për një ndeshje në të cilën ka qenë në stolin e rezervave dhe nuk ka luajtur asnjë minutë.