Gjergj Vyshka 03.09.2015 12:20
Boksi shqiptar tashmë do ta ketë dhe pjesën e tretë të historisë së tij, ndërsa është një përmbledhje e aktiviteteve nga viti 2004-2013. Dhe kjo është meritë e autorit të këtij libri Et’hem Ibrahimi, që këtë herë ka gjetur mbështetjen financiare të Liman Kullës dhe Bashkim Gjumsit. Dhe ky vëllim i tretë, i cili pritet të promovohet më 10 shtator në ambientet e lokalit “Basket”, i cili është në pronësi të mjeshtërit të koshit shqiptar Muhamet Përmeti.
Sipas programit të hartuar do të jetë pritja e miqve, foto e përbashkët, fjala përshëndetëse e autorit, diskutimi i recensentëve dhe të tjerëve, si dhe një banket i përbashkët. Përtej kësaj, Et’hem Ibrahimi, tashmë 73-vjeçar, duhet përshëndetur për punën e tij hulumtuese e krijuese. Sepse t’i japësh boksit shqiptar në harkun kohor të tetë vjetëve tre pjesë të historisë së saj dhe teksa je i gatshëm për një pjesë të katërt, atëherë do të thotë se boksi paska shumë për të rrëfyer.
Hulumtimi, apo kërkimi është pjesë e shkencës dhe kur pjesën e dytë të kësaj historie e ka promovuar më 7 shkurt 2014 në Akademinë e Shkencave, atëherë Et’hem Ibrahimi nuk ka pse të mos quhet akademik. Sepse shkencëtar për çfarë ka bërë për historinë e boksit shqiptar, tashmë me tre vëllime, ai është. Paçka se pa medalje, apo tituj si të gjithë shkencëtarët, Et’hem Ibrahimi është historian i artë i boksit shqiptar. Dhe e meriton, ndërsa pjesa e tretë është pjesa më e bukur e këtij sporti në vazhdim.
Pritet të ketë edhe një të katërt. “Jam duke punuar, por…”, thotë Ibrahimi, që kështu boksin e ka rreshtuar në sportet që tashmë e kanë një histori të tyre.