Gjergj Vyshka 18.02.2015 15:25
Erzeni ka luajtur miqësoren e fundit ndaj Kevitanit të Kategorisë së Tretë, skuadër e cila kryeson me meritë Grupin A, ndërsa është pretendente kryesore për t’u ngjitur sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë. Erzeni, edhe falë kualiteteve që ka në skuadër, kur një pjesë e mirë e futbollistëve kanë ardhur në skuadrën e Orman Vorës gjatë lëvizjeve dimërore, ka ditur ta zgjidhë shpejt ndeshje.
Në minutën e 4-t ka ardhur goli i parë, i cili mban firmën e Kordhashit, që ka shfrytëzuar mirë krosimin e ardhur nga Denis Troplini. Në të 35-n ka ardhur dhe goli i dytë, i cili është shënuar nga I. Vora. Madje ka qenë një aksion model dhe një kombinim perfekt i Vorës me Xhemalajn, futbollist që ka ardhur nga Kamza, dhe më pas edhe realizimi i golit.
Në pjesën e dytë janë bërë shumë zëvendësime dhe në fund gjithçka ka mbetur në shifrat 2-0 për Erzenin, që ka fituar miqësoren e fundit në periudhën përgatitore dimërore. Erzeni ka realizuar shtatë miqësore, ndërsa kjo ishte fitorja e dytë e shijakasve, kur të parën e kishin arritur me durrsakët e Teutë B, teksa kishin fituar në fushën e kësaj të fundit, 4-0.
Mandej janë mundur në miqësoret e skuadrave të Kategorisë së Parë, 0-5 nga Iliria e Fushë-Krujës, 0-2 nga Sopoti, 1-3 nga Burreli, por edhe në ato me skuadrat e Kategorisë së Dytë, 0-2 nga Gramshi dhe 2-3 nga Luzi 2008. Dhe tashmë shijakasit janë gati për sfidën e parë të fazës së dytë, atë që do të luajnë në Prrenjas ndaj Domosdovës vendëse.
Erzeni – Kevitan 2-0
Shënues: Kordhashi 4’, I.Vora 35’