AlbanianSport.com 17/09/2022 11:25
ASNN – Sfida me shijakasit në “Niko Dovana” të Durrësit, shansi i fundit i Vukiçeviçit. Erzeni përballet me Laçin në kuadër të javës së 5-të, në takimin që luhet të shtunën, duke nisur nga ora 15:00, në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Dhe ndërsa trajneri Kapllani dhe shijasakit buzëqeshin, në krahun tjetër, qielli nuk është edhe aq i kaltër për kurbinasit dhe homologun Vukiçeviç.
Në rrethana të tjera, ky do të ishte një duel ku favoritë do të ishin kurbinasit, por kjo nuk vlen në një fillimsezoni ku renditja është kthyer përmbys dhe një pjesë e skuadrave që e mbyllën kampionatin e shkuar në gjysmën e sipërme dhe tashmë në atë të poshtmen. Kjo sepse Erzeni, i sapongjitur pas shumë vitesh mungesë në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e ka nisur Superiore me dy fitore dhe po aq barazim në këto 4 javë të para.
Kjo nënkupton se skuadra e drejtuar nga trajneri Xhevahir Kapllani është e vetmja që nuk e njeh ende humbjen në 360 minutat e para. Dhe ndërsa Kapllani dhe shijasakit buzëqeshin, në krahun tjetër, qielli nuk është edhe aq i kaltër për kurbinasit. Përtej asaj fitoreje 3-1 në premierën e sezonit të ri në fushën e vet ndaj Teutës, Laçi ka marrë tatëpjetën, duke i humbur 3 ndeshjet e tjera, dy të fundit në fushën e vet ndaj kundërshtareve së Egnatia e Rrogozhinës apo Bylisi.
Dhe kjo e bën gjendjen edhe më të vështirë për trajnerin Vukiçeviç, Një situatë jo pak e vështirë, me bardhezinjtë që duan patjetër kthesën, pasi në të kundërt nga klubi mund të ketë masa drastike. Në rastin e një tjetër rezultati negativ, i pari që rrezikon është trajneri Vukiçeviç, për të cilin është sezoni i dytë që drejton Laçin. Malazezi shpreson që të mos përsëritet faza e para e vjetshme, ku u largua pas vetëm 5 javësh në drejtim të kurbinasve.