AlbanianSport.com 19/04/2018 22:00
ASNN – Erzeni ka bërë “bis”, duke e fituar edhe duelin e dytë të finales së Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, pasi ka mposhtur Partizanin 3-2 dhe tanimë shkon në ndeshjen e tretë, që do të luhet të shtunën në kryeqytet, duke synuar realisht titullin “kampion”.
Në fakt, dueli i zhvilluar të enjten në Sallën e re Sportive të Akademisë “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj të Durrësit dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, nën komentin e gazetarit Gjergj Vyshka dhe specialistit Artan Pogoni, ka qenë po aq e luftuar nga fillimi deri në fund sa takimi i parë, i zhvilluar pak ditë më parë në kryeqytet.
Erzeni do të kryesojë në setin e parë, duke patur edhe mundësi ta fitojë atë, por Partizani ka ruajtur përqendrimin, duke arritur të përmbysë dhe të fitojë me shifrat 26-24. Sidoqoftë, skuadra vendase, e drejtuar nga trajneri Ben Sako, ka reaguar, duke e dominuar setin e dytë dhe duke mos gabuar siç kishte bërë në setin e parë, pasi e ka fituar atë 25-19 dhe ka rikthyer barazinë në rezultat.
Megjithatë, skuadra shijakase nuk ka arritur të përfitojë nga epërsia psikologjike e fitimit të setit, pasi është Partizani i drejtuar nga trajneri Ylli Tomori që do të marrë kryesimin në setin e 3-të, për të mos e lëshuar atë deri në fund dhe duke fituar me shifrat 25-19. Duke dëshmuar se edhe kjo ndeshje e dytë finale ishte njëfarë “ruletë ruse”, seti i 4-t është rikthyer të flasë për Erzenin, që kryeson në 8-1 dhe, më pak në 12-7.
Por Partizani reagon fuqishëm, duke barazuar shifrat në 16-16 dhe prej aty gjithçka ka qenë një betejë nervash. Një betejë që fitohet në fund nga Erzeni me shifrat 25-23 dhe gjithçka i drejtohet setit final. Edhe këtu, është ekipi shijakas që kryeson që në fillim me shifrat 3-0, pastaj 6-1 dhe në ndërrimin e fushave rezultati është 8-2.
Por të kuqtë kryeqytetas reagojnë disi me kthimin në parket dhe ngushtojnë në 5 pikë, 5-10. Dhe në një betejë nervash në pikët e fundit, Erzeni fiton 15-12 setin e pestë dhe bashkë me të edhe takimin e dytë të kësaj finaleje, me shfirat 3-2, duke qenë kështu vetëm një hap larg titullit “kampion”.
Erzeni – Partizani 3-2 (2-0)
(24-26, 25-19, 19-25, 25-23, 15-12)