AlbanianSport.com 25/06/2020 18:10
ASNN – Komiteti Olimpik Evropian (EOC) do të shpërndarë plot 2,800,000 për Komitetet Olimpike Kombëtare të vendeve të Evropës, në mënyrë që t’i mbështesë ata në nevojat e veçanta që kanë lindur për shkak të shpërthimit të epidemisë së virusit “Covid-19” dhe shtyrjes së Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë organizmi që qeveris lëvizjen olimpike kontinentale, ndërsa njoftimi është publikuar edhe në profilin zyrtar të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) në rrjetin social “Facebook”.
Kjo shumë është ndarë nga Shoqata e Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC) dhe do të shpërndahet nëpërmjet EOC-së duke mbajtur parasysh veçoritë kontinentale dhe në koordinim me Solidaritetin Olimpik, për shmangur mbivendosjen e veprimtarive dhe programet ekzistuese të Solidaritetit Olimpik në nivel botëror dhe kontinental. Kjo mbështetje financiare do t’u mundësojë Komiteteve Olimpike Kombëtare të përballojnë kostot shtesë që mund të kenë lindur në përgatitje për Lojërat Olimpike të Tokios, që tanimë janë programuar për vitin 2021, probleme që kanë lidhje me një sërë aspektesh, përfshi përgatitjen e atletëve, materialet dhe pajisjet, administratën e këtyre Komiteteve si dhe komunikimin dhe mbrojtjen që kanë në qendër masat ndaj virusit korona.
Thuajse gjysma e kësaj shume, rreth 1,250,000 dollarë amerikanë, do të ndahet në mënyrë të barabartë midis 50 Komiteteve Olimpike Kombëtare të Evropës dhe, për këtë aryse, çdonjëri prej tyre, pra edhe Komiteti Olimpike Kombëtar Shqiptar (KOKSH), do të përfitojë 25,000 dollarë amerikanë, ose rreth 2,765,000 lekë, që do të vihen menjëherë në dispozicion të tij. Ndërkohë që pjesa e mbetur, 1,550,000 dollarë amerikanë, do të përdoret për kërkesat e veçanta, me kujdes të veçantë drejt Komiteteve Olimpike Kombëtare jashtë Bashkimit Evropian dhe Komiteteve Olimpike Kombëtare me vështirësitë më të mëdha.
Një grup pune teknik, i përbërë nga anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të EOC-së, i ndihmuar nga zyra qendrore e Komitetit Olimpik Evropian, është ngarkuar me hartimin e kritereve për këto aplikimet shtesë. Kjo nënkupton se KOKSH-i ka mundësi të përfitojë shumë më tepër sesa 25,000 dollarët fillestarë, pasi disa prej sportistëve të spikatur olimpikë, siç ishte edhe rasti i atletes Luiza Gega, kanë shpenzuar mjaft përtej asaj që ishte programuar, në përgatitje për Olimpiadën e shtyrë të kësaj vere dhe rrethanat e krijuara nga epidemia e virusit “Covid-19”. Po kështu ka ndodhur edhe me peshëngritësit Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, apo me kandidatë të tjerë olimpikë.