Nga Gëzim Sinemati* 20.01.2014 15:25
Në një intervistë, Besnik Hasi, trajneri i Anderlehtit ka thënë se Kombëtaren e bëri ekip Brigeli dhe se ai do të dëshironte të ulej në stolin kuqezi pas De Biazit. Një ëndërr e realizueshme, kur kujton se njerëzit e stolit nga kombëtarja e vogël e deri tek e madhja, vijnë nga jashtë kufirit. Edhe pse zyrat krenohen me duzinën e teknikëve që marrin diplomimin “Pro”, me mundësinë për të trajnuar edhe ekipe me emër jashtë vendit, kartat luhen ndryshe në praktikë.
Por le të kthehemi te Hasi, për të cilin kemi gabuar kur mendonim se karriera e tij si trajner, s’mund të eklipsonte atë të futbollistit. Ndalemi te fraza kur thotë: “Kombëtarja u bë ekip në kohën e Brigelit”, një përcaktim që përkëdhel idenë e shefave se futbollin kuqezi e krijuan trajnerët e huaj. Një shuplakë tradicionale për ish at, sidomos për Astrit Hafizin, të cilit i lejohet të thotë shumë të vërteta për ekipet e botës, por jo për Kombëtaren e brezit të tij.
Një ekip, të cilin do ta lakmonte dhe vetë Brigeli, porse historinë nuk e bëjnë trajnerët, por ata që luajnë me fatin dhe historinë e tyre. Ndaj, edhe Besniku i Anderlehtit tregohet “besnik” që pret radhën pas De Biazit, si shumë të tjerë, por ndalohet që të thotë, për shembull, se pas presidentit Duka, do të kishte dëshirë të ulej në vendin e tij. Një ëndërr e parealizueshme edhe për ata që i quajmë “gjigantë” si Igli Tare, që drejton te Lacio, por duket tepër i vogël për të drejtuar futbollin e vendit të tij.
Nga Lacio mund të marrim borxh shqiponjën, por jo idetë për të menaxhuar një lojë, krejt ndryshe nga ajo e Italisë. Shefat do të donin që të gjithë të ngrinin kartonin jeshil, jo vetëm ata të sallës, por edhe ata që mendojnë ndryshe. Kur flet Hasi nga Anderlehti, Tare nga Lacio, apo Dervishi nga zyrat e federatës fituese, asaj të Spanjës, mjedisi ka më shumë nevojë për vërtetësi dhe më pak për hipokrizi. Na kanë bërë virusin prej vitesh, duke na “bindur” se të huajt janë më të aftë se shqiptarët.
Atëherë, le t’i quajmë të huaj edhe emrat e mësipërm, me shpresën se një ditë nuk do të vijnë vetëm për të zënë vendin e De Biazit.
* Botohet me lejen e autorit dhe duke respektuar ekskluzivitetin kohor të së përditshmes më të madhe sportive në Shqipëri, “Panorama Sport”.
Linku origjinal: http://www.panorama-sport.com/opinion/endrra-e-lejuar-stoli-i-de-biazit-por-jo-froni-i-presidentit/#ixzz3PO64IzGR