AlbanianSport.com 29.09.2014 22:55
Pogradecari nuk i ka mbushur akoma 18 vjeç, por, më e pakta prej dy sezonesh, çdo ditë e më tepër flitet për të. Edhe në kushte kur vetëm këtë sezon luan me Dinamon B të Zagrebit, ndërsa më parë kishte luajtur me ekipet e Akademisë të klubit të njohur kroat. Edhe duke luajtur me këto ekipe Çekiçi, ose “Hammer” siç përkthehet në anglisht mbiemri i pogradecarit, që në krye të herës ka pasur një kontratë që e kanë vetëm lojtarë të piketuar nga skuadra të njohura evropiane. Me këto kushte kontrate, e nënshkruar në prani të prindërve, Çekiçi do të luajë edhe pak kohë pasi mbushet 18 vjeç.
Nga ky moment jo vetëm kalon tek Dinamo e Zagrenit, por akoma më tej firmos kontratën e re. Tashmë pa praninë e prindërve kontrata do të jetë 120 mijë euro në sezon. E thënë ndryshe, Endri Çekiçi, në bazë të kësaj kontrate, do të përfitojë 10 mijë euro në muaj, rrogë kjo e lakmueshme edhe për lojtarë të njohur ballkanikë dhe jo vetëm. Ky kujdes i klubit të njohur kroat për pogradecarin vjen edhe nga talenti i futbollisti, që tashmë jo vetëm ka bërë për vete gjithë tifozërinë e skuadrës kroate, por akoma më tej tashmë është herë pas here në gazetat e njohura të këtij vendi. Sepse Endri, pothuajse çdo javë, vlerësohet me nota maksimale nga specialistët e kësaj loje.
Siç është vlerësuar me notën tetë edhe këtë javë pasi ka qenë lojtari më i mirë jo vetëm i Dinamo B, por dhe i gjithë kampionatit kroat për ekipet e dyta të klubeve të njohura. Në një intervistë të gjatë dhënë për një të përditshme kroate, Endri Çekiçi ka treguar për rrugën që i është dashur për të ardhur deri në këto nivele, rrugë të cilën e ka bërë duke pasur gjithnjë kujdesin e prindërve. Në veçanti të babait, Ylli Çekiçit, një emri fort të njohur i kësaj loje. Në të njëjtën intervistë, Çekiçi ka vlerësuar në maksimum një klub si Dinamo e Zagrebit, skuadër e cila tregon kujdes për të gjithë futbollistët e rinj.
Kalimi tek të rriturit e Dinamos së Zagrebit, vetëm pas pak ditësh, edhe për Çekiçit është një obligim më shumë për të bërë më të miren për këtë skuadër. Duhet thënë se që kur ka ardhur tek zagrebasit Endri Çekiçi gjithnjë ka tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura evropiane. Por duket se Dinamo nuk e ka ndërmend të nxitohet, edhe sepse kërkon të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga lëvizja e lojtarit drejt një skuadre të njohur evropiane. Për këtë, vetëm pak kohë më parë, kroatët kanë kthyer mbrapsht ofertën e ardhur ng Arsenal.
Por nga ana tjetër Çekiçi ka edhe vëmendjen e FSHF-së, aq sa, edhe duke mos qenë akoma 18 vjeç, këto ditë do të jetë pjesë e skuadres sonë kombetare të 21 vjeçarëve.