AlbanianSport.com 11/09/2021 18:40
ASNN – Reali i Madridit, 1 miliard Euro klauzolë për Kilian Mbapénë. Futbollisti nuk firmos me Paris SG-në, madrilenët bëjnë gati ofertën. Merkato është mbyllur, por çështja Mbapé vazhdon të diskutohet. Tek Paris SG-ja, gjatë sezonit që i mbetet nga kontrata e me të, do të përpiqen me çdo mënyrë të rinovojnë dhe të zgjasin qëndrimin e tij në “Parc des Princes”. Por Reali i Madridit vazhdon të këmbëngulë, duke ditur se kontrata e sulmuesit francez me Paris SG-në mbaron më 1 janar 2021.
E pas kësaj date futbollisti do të jetë i lirë të nënshkruajë kontratën e tij me madrilenët, pa patur nevojë për miratimin e klubit parizien. Makineria e klubit madrilen është në lëvizje dhe llogaritë tashmë janë bërë. Sipas mediave spanjolle, Mbapé do të ketë një klauzolë prej 1 miliard Eurosh. Një mburojë e blinduar kjo e Realit për Mbapén.
Me të njëjtën shumë Madridi ka mbrojtur edhe Kristiano Ronaldon, Karim Benzemanë, Gareth Bejlin dhe Valverden. Reali është i ndërgjegjshëm për kërcënimin që mund t’u vinte yjeve të vet apo dhe të rinjve premtues, nga klubet e tjera, ndaj ka dashur t’i mbrojë ata me klauzola ndaluese. Brahimi, i huazuar nga Milani, e ka klauzolën 750 milionë Euro.
Po kështu, Isko dhe Asensio, e kanë nga 700 milionë Euro dhe Sebajos, 500 milionë Euro. Sipas mediave, Mbapéja do të përfitojë 30 milionë Euro neto në sezonin e parë, e më pas 20 milionë. Shifra është shumë larg nga 36 milionë me të cilat PSG po tundon lojtarin të zgjasë kontratën e tij aktuale dhe që janë të krahasueshme me shumat në të cilat paguhen Mesi dhe Nejmari.
Por gjigantja madrilene nuk dëshiron të prishë diferencat e pagave të stafit të tij, një nga çelësat për t’i rezistuar sulmit të krizës epidemike. Edhe Mbapé i ka dhënë përparësi ëndrrës së tij për të luajtur me Realin e Madridit, mbi përfitimet nga paratë. Në këmbim, lojtari do të marrë një bonus transferimi prej 30 milionë eurosh në kohën e zyrtarizimit të kontratës së tij.