AlbanianSport.com 20/10/2018 12:05
ASNN Federata Shqiptare e Futbollit po rrezikon të humbë një tjetër talent të moshës 17 vjeç. Bëhet fjalë për Emiljano Bullarin, gjigandin shqiptar që mediat greke e krahasojnë me Zlatan Ibrahimoviçin. Është trajneri i Olimpiakosit, Pedro Martins, që e ka kërkuar talentin shqiptar në gjirin e skuadrës së madhe të Pireut të Athinës. Mediat greke e quajnë “diamant” të Olimpiakosit.
Dhe pas dëmtimit të sulmuesit kryesor të skuadrës, Dimitris Manos, trajneri ka ftuar pikërisht talentin shqiptar Bullari, i cili ka lindur në Greqi. Faqja sportive greke në Internet, “sport24.gr”, shkruan ndër të tjera se për talentin shqiptar ka shfaqur interes Federata Helene e Futbollit.
Ajo dëshiron ta angazhojë atë me kombëtaren e Nën-19-vjeçarëve të saj. Vetë përfaqësuesja helene nuk ka një qendërsulmues të mirëfilltë dhe i ka vënë syrin Bullarit.
Djaloshi 1.90 m i gjatë, i lindur në prill 2001, është aktualisht pjesë e skuadrës së 19-vjecarëve të Olimpiakosit.
Ai është përfshirë në kombëtaren e Nën-17-vjeçarëve që drejtohet nga Xhemal Mustedanagiç, por fakti që po e kërkon Greqia për përfaqësuesen e saj duhet të shkaktojë alarm në zyrat e federatës. Grekët po tentojnë të na marrin një supertalent, që krahasohet me Zlatan Ibrahimoviç.