Adriatik Balla 09.05.2015 09:45
Gara për “Këpucën e Artë” në kampionat duket e mbyllur, pasi kroati Pero Pejiç është i shkëputur nga ndjekësit e tij dhe pothuajse e ka të garantuar këtë trofe. Ajo që duhet thënë ka lidhje me kombësinë e sulmuesve kryesorë, ose atyre që kanë shënuar më shumë gola.
Nga 8 futbollistët sulmues që kanë shënuar më shumë gola, vetëm njëri është shqiptar, Elis Bakaj i Tiranës, ndërsa të tjerët janë të gjithë të huaj. Natyrisht i pari është Pejiç, ndërsa pas tij renditet menjëherë sulmuesi i Partizanit Raçiç. Në vend të 3-të renditet Bakaj e fill pas tij në vend të 4-t renditet sulmuesi surprizë i këtij sezoni, Xhejms i Laçit.
Në vend të 5-të klasifikohet, të paktën deri tani, Ndikumana i Tiranës, një lojtar që nuk ka zhvilluar një sezon të plotë. Vendet e fundit në listën e golashënuesve kryesorë mbahen nga Catkoviç i Apolonisë, Martins i Skënderbeut dhe Soza i Vllaznisë. Siç shihet, reparti sulmues këtë edicion është ekskluzivitet i lojtarëve të huaj.
Padyshim, ata kanë qenë më efikasë se sa futbollistët shqiptarë të këtij reparti. Bakaj mbetet i vetmi ndryshim, duke qenë një nga pikat e forta të Tiranës. Dominimi i sulmuesve të huaj lidhet dhe me faktin tjetër se akademitë e klubeve tona po prodhojnë shumë pak talente e sidomos golashënues të rinj.