Adriatik Balla 12.05.2015 07:55
Lojtarët e kampionatit shqiptar duket se e kanë shumë të vështirë të gjejnë ekip të huaj për të vijuar karrierën e tyre, sepse nuk kanë përgatitjen e duhur fizike, teknike dhe taktike që të përballojnë me sukses ndeshjet në kampionate më cilësorë. Mesa duket, kjo ndodh për shkak të formimit të mangët të futbollistëve në klubet tona dhe punës së paktë që bëjnë stafet teknike e drejtuese me moshat. Natyrisht, ka patur dhe elementë që kanë çarë dhe kanë pasur sukses, por janë shumë të paktë.
Tani që sezoni po përfundon, ofertat për disa lojtarë kanë nisur të vijnë dhe janë serioze. Kështu, është me të vërtetë i bujshëm lajmi i parë i merkatos që vjen pikërisht nga mediat izraelite, për një kalim të mesfushorit tonë Elis Bakaj në radhët e një prej klubeve të njohura të këtij vendi. Një ndër mediat më prestigjioze sportive të Izraelit, “One.co.il” njofton se fantazisti i Tiranës ka gjetur akordin me skuadrën e Hapoelit të Rananas për 3 vitet e ardhshme e tashmë gjithçka mund të konsiderohet e përfunduar.
Mediat izraelite nuk japin detajet financiare të kontratës duke u kufizuar vetëm me afatin kohor për tre vitet e ardhshme. Por lajmi jepet me siguri të plotë, nga media prestigjioze izraelite që bën të ditur madje se javën e kaluar, trajneri i Hapoelit të Rananas, Haim Silvas, ka udhëtuar drejt Tiranës bashkë me shefin ekzekutiv të klubit për të ndjekur nga afër Elis Bakaj, kohë që ka përkuar me derbin e kryeqytetit, ku Bakaj shënoi dy gola kundër Partizanit në barazimin 2-2.
I kontaktuar nga mediat, Elis Bakaj ka preferuar të e mos komentojë lajmin. 27-vjeçari nuk e mohoi këtë lajm, por deklaroi se ai preferon të përkushtohet 100% deri në fund të sezonit me Tiranën dhe më pas do të flasë për të ardhmen. Kontrata e Elis Bakajt me klubin bardheblu siç dihet skadon në fund të qershorit kur fantazisti do të jetë i lirë për të nënshkruar me parametra zero dhe me sa duket 27-vjeçari e ka të qartë destinacionin e tij për të ardhmen, duke u transferuar në kampionatin izraelit.
Aty, ai do të gjejë edhe sulmuesin e Kombëtares, Hamdi Salihi, i cili fundjavën që kaloi, shënoi dy gola pikërisht kundër Hapoelit të Rananas, skuadrës së ardhshme të Bakajt. Futbollisti që mbylli një sezon të mirë me Tiranën ka shumë potencial teknik dhe ka krijuar edhe një eksperiencë të mirë në rang ndërkombëtar. Ai ka luajtur në Rumani me Dinamon e Bukureshtit, si dhe në Ukrainë, me Odesën e Çërnomorecit. Por oferta izraelite mund të jetë e ardhmja e tij.
Kjo, pasi pagesat financiare në kampionatin izraelit janë shumë të mira dhe ekipi që ka bërë ofertën luan në ligën e parë. Mbetet të shihet se si do të operojë Bakaj në ditët e para të qershorit në lidhje me këtë ofertë, por vetë futbollisti ka pranuar edhe më parë se ka pasur kërkesa nga disa klube të ndryshme nga rajoni, përfshirë dhe kampionatin grek, por lojtari vetë nuk ka preferuar të flasë rreth emrave të klubeve që e kërkojnë, duke preferuar të heshtë dhe duke i lënë ofertat të vijnë natyrshëm, për t’i diskutuar në momentin e duhur.