AlbanianSport.com 01/12/2018 16:35
ASNN – Trajneri italian i përfaqësueses kuqezi, Kristian Panuçi, e cilësoi një short mjaft të vështirë dhe përveç Francës, që kuptohet se është favorite kryesore, ai sheh Islandën dhe Turqinë si skuadra të forta. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, komentoi shortin e hedhur në Dablin për eliminatoret e Evropianit të 2020-ës, ku Shqipëria do të përballet në grupin H me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën.
Trajneri italian i përfaqësueses kuqezi e cilësoi një short mjaft të vështirë dhe përveç Francës që kuptohet se është favorite kryesore, ai sheh Islandën dhe Turqinë si skuadra më të mira sesa Kombëtarja Shqiptare dhe se dueli për vend të dytë do të jetë pikërisht me këto dy përfaqësuese. “Mund të shkonte më mirë por edhe më keq, por e pranojmë se mund të bëhemi gati për të bërë më të pamundurën, – ka thënë trajneri italian i kuqezinjve.
“Franca është favoritja e madhe, pastaj janë Turqia e Islanda, dy skuadra të forta të cilat janë për vendin e dytë, – ka vijuar ai. – Gjëja më e rëndësishme është të rikuperoj të gjithë lojtarët se juve në Shqipëri nuk u intereson për lojtarët, por për rezultatin. Po nuk pata lojtarët, nuk mund të bëj rezultat.” Më pas vjen optimizmi, për atë që Panuçi e quan një “shkrim të historisë”. “Ne duhet të shkruajmë historinë tonë dhe të bëjmë një arritje të madhe, se për t’u kualifikuar duhet të bëjmë një arritje të madhe”, – ka thënë ai.
“Shpresojmë të jenë të gatshëm dhe të kemi mundësi të zgjedhim mes shumë lojtarësh dhe të mos jemi të detyruar të bëjmë zgjedhje të sforcuara”, – ka shtuar 45-vjeçari, për të cilin synimet në grup janë të qarta. “Me të gjithë në dispozicion e shoh të luftojë me Islandën e Turqinë dhe mundohet për të arritur e dyta se Franca është favorite”, – përfundoi trajneri i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Kristian Panuçi.