AlbanianSport.com 01/12/2018 21:05
ASNN – Flet kapiteni Mavraj: “Është herët të flasim për shanset, Islanda rivali më i vështirë”. Kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj, komentoi sot shortin e grupit H për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2020, ku Shqipëria u vendos përballë kundërshtarëve shumë të fortë si Franca, Islanda dhe Turqia, pa përmendur Moldavinë dhe Andorrën.
Mavraj është treguar i duruar, i ndërgjegjshëm se Franca është nga tjetër “planet” dhe se do të ishte thjesht kënaqësi të përballeshim me kampionët e botës. Por, nga dy rivalët e tjerë që do të luftojë për vend të dytë, veçon Islandën, një rival që thotë se është tepër i vështirë për t’u mundur, nisur nga lufta e fortë që bëjnë në fushë dhe vlerësimi maksimal i çdo kundërshtari.
Sidoqoftë, kapiteni i Kombëtares Mërgim Mavraj thotë se është herët për të folur për shanset e kualifikimit, pasi skuadrat ndryshojnë shumë nga një periudhë në tjetrën dhe deri në momentin e luajtjes së ndeshjeve shumë gjëra mund të ndryshojnë dhe në përfaqësuesen tonë. “Është e vështirë në këtë moment të flasim për mundësi dhe shanse, – u shpreh Mavraj, – por është kënaqësi të luajmë kundër kampiones së botës.”
“Kemi pasur eksperiencë të mirë me ta, – thotë futbollisti që ka shënuar në barazimin 1-1 me francezët në Paris. – Edhe me Turqinë kemi pasur rezultat të mirë, Islanda ka ecur shumë përpara, është një kundërshtar shumë i fortë, ku i dihen shumë cilësitë. Islandën e Turqinë i kemi kundërshtarë kryesorë. Po ia dolëm këtyre ndeshjeve kemi shanse të mëdha të kalojmë.”
“Mendoj se Islanda është më e vështirë për të luajtur se është një ekip që asnjëherë nuk nënvlerëson kundërshtarin, – vijoi komentin e tij kapiteni kuqezi, – janë gjithmonë të përgatitur, janë të përkushtuar, luftojnë për çdo metër në fushë, Kanë fituar shumë vetëbesim në vitet e fundit, Turqia ka ndërruar trajnerin.” Duke qenë nga Kosova, Mavraj bëri një koment të shkurtër dhe për shortin e grupit A.
Atu ku bën pjesë edhe përfaqësuesja e Kosovës. “Për përfaqësuesen e Kosovës, ndeshjet me Anglinë e Malin e Zi do të jenë ndeshje të jashtëzakonshme, me euforinë që kanë mund të arrijnë rezultate shumë të mira, jo vetëm me Anglinë por edhe ne Malin e Zi, ku do i përkrahim shumë”, – përfundoi kapiteni i skuadrës kuqezi, Mërgim Mavraj.