Albaniansport.net 21.01.2016 16:35
ASNN – Stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë shumë shpejt do të kompletohet tërësisht. Pas vendosjes së stolave të rinj, shtrimit të tapetit të ri të blertë dhe ndërtimit të dhomave të futbollistëve në mjediset e brendshme të stadiumit, tashmë do të vendosen edhe prozhektorët. Kështu Tirana do të luajë ndeshjen e parë të gjysmës së dytë në fushën e vet me drita.
Ka nisur puna për kompletimin e impiantit të ndriçimit në “Selman Stërmasi”. Shtëpia e re bardheblu shumë shpejt do të ndezë prozhektorët për të zhvilluar ndeshje edhe në mbrëmje. Impianti i ndriçimit do të jetë shumë shpejt gati për të shtuar një tjetër element tepër të nevojshëm për një stadium modern. Katër kullat janë instaluar, kabina e furnizmit me energji elektrike gjithashtu, dhe tani mbetet të përfundojë vendosja e prozhektorëve.
Kjo do t’i japë mundësi Stadiumit “Selman Stërmasi” të rinovohet tërësisht dhe të presë, për herë të parë një ndeshje në mbremje. Brenda muajit pritet që të përfundojë puna dhe i gjithë sistemi i ndriçimit të jetë gati për ndeshjet e pjesës së dytë të sezonit që Tirana do të luajë në shtëpi. Vendosja e sistemit të plotë të ndriçimit në “Selman Stërmasi” është hapi i fundit i kompletimit të stadiumit përsa i përket konstruksionit.
Deri tani janë vënë stolat e rinj, është vënë tapeti i ri i blertë i fushës e janë ndërtuar dhomat e zhveshjes për futbollistët, së bashku me dushet, të gjitha brenda parametrave bashkëkohorë.