AlbanianSport.com 01.10.2014 12:50
ASNN – Pasditen e së martës, verdheblutë kanë mbyllur përgatitjet për ndeshjen ndaj Shkumbinit, që do të jetë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë dhe nuk do të luhet në Peqin, por në Rrogozhinë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë shefi i klubit, Kita, pasi fusha e bardhekaltërve nuk merret përsipër nga policia, kështu që Elbasani do të udhëtojë drejtë këtij qyteti të vogël.
Atmosfera është mjaft e mirë përpara kësaj sfide, ku të gatshëm për trajnerin Muharrem Dosti janë pothuajse të gjithë lojtarët, përveç mbrojtësit Basriu, që është i skualifikuar me pesë ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. Përsa i përket formacionit, trajneri Dosti dhe stafi i tij kanë menduar të hedhin në fushë disa nga lojtarët që nuk kanë luajtur apo ata që kanë luajtur më pak deri tani, kështu që nuk do të aktivizoja “senatorët”, sidomos ata që vijnë nga dëmtimet.
Me rëndësi të veçantë për klubin mbetet takimi i fundjavës me Apoloninë, që duhet fituar me çdo kusht, kështu që do të kërkohen të ruhen nga ndonjë karton apo ndonjë dëmtim futbollistët tek të cilët Elbasani mbështetet. Prandaj, edhe pjesës tjetër që luftojnë gjithmonë për formacionin, këtë herë do t’u jepet mundësia të tregojë cilësitë e veta në një ndeshje që ka rëndësi, sepse kupa është një veprimtari që e dëshirojnë të gjitha ekipet.
Ja formacioni i mundshëm i Elbasanit
për ndeshjen e nesërme me Shkumbinin:
Në portë: Ruci
Në mbrojtje: Mauricio, Jaupi, Dosti, Kaculi
Në mesfushë: Toçi, Gava, Hila, Agboi
Në sulm: Dalipi, Lamcja
Trajner: Muharrem Dosti