AlbanianSport.com 09.09.2016 16:10
ASNN – Përsa u përket diskutimeve që u mbajtën në mbledhjen e djeshme të gjithë këshilltarët që morën fjalën ishin dakord që klubi të kalonte tek të tjerë investitorë dhe nuk pati kundërshtime. Ndërsa, vetë kryebashkiaku Qazim Sejdini, i cili është marrë me bisedimet me përfaqësues të kësaj kompanie, sqaroi edhe pozicionin e pushtetit vendor në këtë mes.
“E kemi thënë disa herë që vetëm me paratë e Bashkisë dhe taksapaguesve të Elbasanit nuk mundet dot që ta bëjmë klubin e Sportit, – ka thënë ai. – Për rrjedhojë edhe rezultatet e ekipit kanë lënë për të dëshiruar. Ndaj kur shfaqi interesin kompania angleze kemi zhvilluar bisedime. Ata duan ta bëjnë një qendër të rëndësishme edhe Ballkanike, Akademinë, si edhe të ringrenë klubin e futbollit.”
“Ne u kemi vënë disa kritere, që duhet të respektohen nga ana e kësaj kompanie, siç është mosndryshimi i emrit të klubit të futbollit, si edhe pagesa e detyrimeve që ka klubi ndaj tatimeve dhe palëve të treta”, – shtoi Sejdini. Ndërkohë kjo kompani merret me veprimtari sportive kryesisht në Angli, por edhe në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Shifra që do të paguajë kjo kompani kap vlerën e 50 milionë lekëve të reja.