AlbanianSport.com 06.11.2014 11:40
ASNN – Elbasani ka pësuar humbjen e radhës, teksa është mundur nga Laçi dje në “Elbasan Arena”, kjo tashmë për llogari të Kupës së Shqipërisë. Sërish ka qenë i pranishëm një numër i pakët sportdashësish, të cilët nuk bëheshin më shumë se 30 veta në stadium.
Pjesa e parë ka qenë e barabartë dhe për këtë flasin dhe shifrat e bardha dhe pa gola, 0-0. Në pjesën e dytë, sapo ka nisur loja, në minutën e 48-të, Laçi ka kaluar në epërsi. Zefi ka dhënë një pasim për Nimanin dhe ky i fundit, teksa ka shmangur dhe daljen e portierit Ruçi, ka shënuar në portën e boshatisur.
Miqtë nuk e kanë ndaluar me kaq, sepse pas tre minutash do të gjenin edhe golin e dytë. Kështu në të 51-n, Zefi ka gjuajtur fort, Ruçi nuk e ka bllokuar topin, dhe Doku nuk e ka pasur të vështirë për ta shtyrë sferën në rrjetë. Elbasani zgjohet dhe në minutën e 62-të ka ngushtuar diferencën e golave me atë të Lutës.
Ai ka shfrytëzuar me efikasitet një krosim të Tahirllarit nga e majta. Kurbinasit nuk dorëzohen, por në të minutën e 87-të, Zefi, lojtari më i mirë i miqve, ka shënuar golin e tretë, duke hipotekuar fitoren dhe në një farë mënyre dhe kualifikimin e Laçit për në çerekfinale.
Në minutën e 89-të, Elbasani ka fituar të drejtën e 11-metërshit, teksa e ka kthyer në gol Toçi dhe në përfundim 3-2 për kurbinasit.
Elbasani – Laçi 2-3
Shënues: Luta 62’, Toçi 89’ (11-m.) /
Nimani 48’, Doku 51’, Zefi 87’
Elbasani: Ruçi, Gjorga, Pisha, Jaupi (Lleshi 35’), Musta, Toçi, Dosti, Gava (Ujkashi 46’), Tahirllari, Lamçja, Çota (Luta 57’). Trajner: M. Dosti
Laçi: Vujadinoviç, Sheta, Çela, Sefgjinaj, Doku, Sefa (Ofojeh 66’), Teqja, Bilibashi, Zefi, Cetkoviç (Veliaj 46’), Nimani (Buljan 57’). Trajner: A. Cungu
Gjyqtarë: O. Ferhataj, E. Malo, N. Rrapaj (Patos)
Kartonë të verdhë: Gjorga, Lleshi / Sheta