AlbanianSport.com 07.09.2016 12:55
ASNN – Kompania angleze, që ka kërkuar aksionet e klubit të futbollit të Elbasanit, pritet të marrë zyrtarizimin ditën e nesërme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Burime të sigurta të “Sport Ekspres” konfirmojnë se është caktuar një mbledhje e këshillit jashtë rendit të ditës enkas për këtë çështje.
Ditë më parë përfaqësues të kësaj kompanie patën një takim me kryebashkiakun Qazim Sejdini dhe u ra parimisht dakord për shitjen e aksioneve. Por që të marrë një formë ligjore duhet që fillimisht të marrë aprovimin në Këshillin Bashkiak. Burime pranë këtij këshilli pohojnë se nuk pritet të ketë probleme përsa i përket votimit, por që të jepet dakordësia që të kalojnë aksionet tek pala angleze.
Dihet që Bashkia si aksionere e Klubit të Futbollit çdo vit është detyruar që të derdhë një shumë të konsiderueshme parash në arkën e klubit, duke e pasur edhe si “barrë” financiare këtë gjë. Me shitjen e aksioneve tek anglezët, ky institucion do të çlirohet sadopak edhe nga ana financiare.
Ndërkohë ekipi verdheblu vijon normalisht stërvitjen gjatë këtyre ditëve, ndërsa skuadrës i është shtuar edhe mbrojtësi Roland Peqini. Përsa i përket miqësores, që ishte programuar për ditën e sotme me Pogradecin, ajo nuk do të zhvillohet për shkak të motit të keq.