AlbanianSport.com 15.08.2015 10:50
ASNN – Shpresohet të vijnë lojtarë cilësor dhe jo nga ata që janë rezervë, sepse ndryshe nuk i shërbejnë qëllimit të verdhebluve. Elbasani nuk ka ndërmend të ndalet vetëm me afrimin e Erjon Mustafajt këto ditë, por ka synim të tjerë futbollistë, të cilët mendohet se do të përforcojnë skuadrën për këtë sezon të ri. Burime pranë kampit verdheblu pohojnë se gjatë kësaj jave në skuadër priten edhe 2-3 lojtarë të tjerë cilësorë, që do të vijnë nga skuadra të Superiores. Nuk bëhen të ditur për momentin emrat e tyre, apo skuadrat se nga do të vijnë.
Por e gjitha kjo lidhet edhe me nisjes së Kategorisë Superiore, më 22 gusht, ndërsa disa lojtarë do të dalin “jashtë loje” dhe verdheblutë do të mundohen të jenë të parët në përfitimin e tyre me qëllimin e mirë atë të kthimit të menjëhershëm sezonin e ardhshëm në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Marrëdhëniet e mira dhe njohjet që presidenti i klubit elbasanas, Arben Laze, ka pothuajse me të gjithë homologët e tij të Superiores e bën më të lehtë edhe sigurimin e lojtarëve nga ana e elbasanasve.
Çështja qëndron nëse verdheblutë do të sigurojnë dot futbollistët që pëlqehen nga ana e teknikut Muharrem Dosti dhe ata a do t’i shërbejnë skemave të tij, apo thjesht do të vijnë nga elita lojtarë që qëndrojnë rezervë. Gjithsesi e gjitha kjo mbetet për t’u parë më vonë, kur edhe të startojë njëherë Superiorja dhe atëherë mund të thuhet se Elbasani është i varur nga ekipet e elitës. Në këto moment verdheblutë kanë nevojë për lojtarë nga të gjitha repartet.