AlbanianSport.com 12.09.2016 18:55
ASNN – Elbasani e ndien veten “mbret” i merkatos këtë periudhë, të paktën në Grupin B, aty ku do të luajë për këtë sezon në Kategorinë e Parë. Thuhet kështu pasi ka bërë përforcime në të gjitha repartet me lojtarë cilësorë dhe që prej disa vitesh janë pjesë e futbollit shqiptar. Duke nisur nga porta në sulm repartet janë të “blinduara”, ndërkohë që ende nuk mund të quhet e mbyllur merkato.
Pas afrimeve të Kotorrit, Peqinit, Sulejmanit, Agastrës dhe Fortunados, pritet të shihet edhe se çfarë do të bëhet me Enkel Alikajn, që ka luajtur në miqësoren me Shkumbinin ditën e shtunë. Burimet pranë kampit verdheblu pohojnë për mediat sportive të ditës, se presin edhe dy futbollistë të tjerë me të cilët janë në bisedime prej kohësh. Bëhet fjalë për lojtarë cilësorë dhe që e njohin mirë futbollin shqiptar.
Mesa duket zhvillomet e fundit në administrim dhe faktit që kryebashkiaku Sejdini ka dhënë garanci financiare ka bërë që Elbasani të mos ketë më probleme në afrimin e futbollistëve. Duhet thënë se pas afro një muaji zyrtarisht do të nisë edhe një “erë” e re në klub, sepse, pas marrëveshjes me Bashkinë, Elbasanin do ta marrë nën administrim kompania angleze “Level Up Sa”.