AlbanianSport.com 06/02/2019 23:05
ASNN – Klasikja e parë e Kupës së Mbretit për këtë sezon, midis Barcelonës dhe Realit të Madridit, përfundoi në barazim 1-1, një duel që prodhoi emocione të forta dhe rivalitet, por që asnjëra prej skuadrave nuk ia doli të bënte diferencën në rezultat. Në pjesën e parë ishin “Los Blankos” që realizuan me Lukas Vaskezin, që në minutën e 6-të. Ishte një gol i shpejtë që e tronditi jo pak Barcelonën e trajnerit Ernesto Valverde. Katalanët nuk ia dolën në fraksionin e parë të ndeshjes të bënin diferencë.
Dhe disavantazhi solli jo pak tension në radhët e grupit. Ajo që Reali kishte parashikuar rezultoi e vërtetë. Barcelona pa Lionel Mesin në fushë nuk funksionon dhe kjo u pa qartë në pjesën e parë. Megjithatë, një gol i Malkomit në minutën e 57-të i dha qetësinë Barcës dhe “blaugranat” nisën të mendonin seriozisht për ta fituar ndeshjen. Për këtë arsye ata hodhën në fushën e lojës në minutën e 63-të argjentinasin Mesi, në mënyrë që të bëhej diferenca.
Loja nis të gjallërohet, sepse Valverde e freskoi lojën me Mesin, Vidalin dhe Alenën. Por pavarësisht përpjekjeve, ndeshja nuk pati më ndryshim rezultati dhe takimi u mbyll në barazim 1-1. Por kjo ishte vetëm gjysmëfinalja e parë, sepse një tjetër duel klasik do të jetë 3 javësh, konkretisht më 27 shkurt dhe do të luhet në “Santiago Bernabeu” të Madridit. Në duelin e kthimit më të favorizuar janë madrilenët, pasi luajnë në stadiumin e tyre. Sidoqoftë, në duele të tillë “El Clasico” ka të papritura dhe fusha nuk është përcaktuese.