AlbanianSport.com 22.12.2016 21:15
ASNN – Partizani ka kapërcyer pësimin e një goli të hershëm dhe ka shënuar dy herë, një në pjesën e parë dhe një në të dytën, duke përmbysur gjithçka dhe duke mundur në Korçë Skënderbeun me rezultatin 2-1. Takimi që uli siparin e javës së 18-të të Kategorisë Superiore u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në fakt, takimi ka nisur mjaft mirë për vendasit, të cilët gjejnë golin e epërsisë pas vetëm 10 minutash lojë, me anë të nigerianit Xhejms Adeniji. Por Partizani gradualisht e ka kapërcyer pësimin e atij goli dhe 10 minuta nga fundi i pjesës së parë, do të gjejë edhe golin e barazimit me anë të ganezo-italianit Ekuban. 45 minutat e para do të mbyllen në barazim 1-1, ndërsa ato të dytat do të nisin të barazpeshuara.
Megjithatë, në minutën e 57-të, është sërish Ekubani ai që do të përfitojë nga gabimi në kontrollin e topit nga ana e Latifit dhe nga mbulimi i pamjaftueshëm i Osmanit dhe do të mposhtë Shehin me një gjuajtje nga larg. Skënderbeu do të përpiqet të gjejë golin e barazimit, por Partizani do të mbrohet me kujdes, ndërsa ka edhe shansin për të gjetur edhe një gol të 3-të, por Fili gabon i vetëm me Shehin.
Mbyllet kështu me fitoren 2-1 të Partizanit kjo sfidë dhe të kuqtë ngjiten në vendin e dytë të renditjes, me 35 pikë, një më pak sesa Kukësi, që pasdreke u ndal në një barazim 2-2 në Gjirokastër përballë Luftëtarit vendas. Skënderbeu mbetet në vendin e 3-të, në kuotën e 32 pikëve, 5 më tepër sesa Tirana e vendit të 4-t, që u nda me rrjeta të paprekura me Vllazninë në Shkodër. Në dy takimet e tjera të pasdrekes, Korabi mundi minimalisht Flamurtarin, ndërsa Teuta fitoi 2-0 në Laç.