AlbanianSport.com 14.09.2015 15:30
ASNN – Fillimi i vitit të ri shkollor pritet t’i japë jetë edhe një programi të ri, që zanafillën e ka me vizitën në Tiranë në shkurt të vitit të shkuar të shahistit me famë botërore, Geri Kasparov. Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi, ka theksuar se programi i shahut në shkolla do të ketë një shtrirje më të madhe se ç’ishte planifikuar fillimisht.
Ajo që nisi si ide me vizitën në Tiranë në shkurt të vitit të shkuar të shahistit me famë botërore, Geri Kasparov, dhe vijoi në qershor të këtij viti me nënshkrimin e marrëveshjes midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Federatës Botërore të Shahut, pritet të konkretizohet në javët në vijim. Duke folur për AlbanianSport.com, Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi, thekson se ky program do të ketë një shtrirje më të madhe në shkolla se ç’ishte planifikuar më parë.
“Jemi optimistë, sepse më në fund po vijmë tek faza e zbatimit të këtij projekti, – tha nr. 2 i organizmit që qeveris sportin e katrorëve bardhezi në Shqipëri. – Ajo që duhet theksuar është se, dhe këtë e them me shumë kënaqësi, se në këtë program do të përfshihet një numër më i madh shkollash se ç’e kishin planifikuar në zanafillë.” Në javët në vijim pritet të sqarohen edhe teknikalitetet e zbatimit të këtij projekti.