AlbanianSport.com 10/08/2020 14:55
ASNN – Suksesi i 5 shqiptarëve të Lokomotivës së Zagrebit, ka ngritur pyetjen nësa ka talente të tjerë shqiptarë që ia vlejnë të provohen në Kroaci apo gjetkë. “Mund të them që, edhe gjatë intervistave të mëparshme, por edhe gjatë kohës që punova në Shqipëri, gjithmonë kam theksuar se kampionati shqiptar dhe Shqipëria në përgjithësi, ka shumë talente”, – përgjigjet zbuluesi kryesor i talenteve të klubit të dytë të kryeqytetit kroat, Besnik Prenga, duke folur posaçërisht për AlbanianSport.com.
“Mund të them që, deri në moshën 18-vjeçare, talentet janë me shumicë në Shqipëri, pastaj, në atë kalimin nga të rinjtë tek të rriturit, diku humbin, – vijon ai analizën e tij. – Unë mendoj se Shqipëria është një vend ku ka shumë fëmijë të talentuar dhe mendoj se futbolli së shpejti do të flasë edhe shqip. Një këshillë që dua t’u jap, si gjithmonë, që të punojnë shumë, të besojnë tek vetja, të japin maksimumin, por dhe të dëgjojnë trajnerët.”
“Kjo është rruga kryesore për t’u bërë i suksesshëm. Mund të them që gjithmonë, lojtarët që kanë dhënë maksimumin, kanë qenë korrekt, kanë qenë të ndërgjegjshëm në punën e tyre, gjithmonë ia kanë dalë. Prandaj unë u uroj të gjithë lojtarëve shqiptarë që të punojnë shumë dhe të kenë suksese në sport”, – ka përfunduar Prenga.