AlbanianSport.com 10.01.2016 17:35
ASNN – Për shkak të skandaleve me dopingun që goditën gjatë dy viteve të fundit peshëngritjen kuqezi, Shqipëria shkon në Lojërat Olimpike të këtij viti me një delegacion më të reduktuar sesa në dy Olimpiadat e fundit. Duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com, Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello, ka theksuar se deri më tani janë konfirmuar 4 sportistë, por shpresohet edhe për dy të tjerë.
“Për ne që kemi marrë pjesë në dy Olimpiadat e fundit me më tepër sesa 6 sportistë, sistemi i ftesave është disi i komplikuar, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në parimin e tij ka gjithëpërfshirjen dhe, siç ju thashë, për ata që kanë marrë pjesë në Olimpiadën e fundit me më tepër sesa 6 sportistë, nuk ka ftesa, sepse i jepen dikujt tjetër që nuk i ka këto mundësi”, – ka thënë ai.
Ndryshe nga Olimpiada e Pekinit, ku pati një delegacion prej 11 sportistësh, dhe ajo e Londrës, ku u përfaqësua me 10, në Lojërat Olimpike të këtij viti në Rio de Zhaneiro, Shqipëria pritet të ketë një delegacion më modest. Lidhur me këtë, Stavri Bello, ka sqaruar se në ç’fazë janë përgatitjet për Olimpiadën braziliane. “Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka krijuar një sistem të tillë që të gjithë Komitetet Olimpike Kombëtare (anëtare të tij), të jenë të pranishme në Olimpiadë, pra, të sigurojë gjithëpërfshirjen”, – ka sqaruar nr. 2 i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare.
“U ka dhënë mundësi të gjitha vendeve të kenë minimumi 4 sportistë me ftesë, dy në not dhe dy në atletikë, të cilat ne i kemi të garantuara, e për më tepër që, në rastin tonë, bëhet fjalë që disa nga këta sportistë t’i kenë arritur normat për kualifikim”, – ka shtuar Bello, u cili ka theksuar se shpresohet edhe për të paktën dy sportistë të tjerë kuqezinj në Olimpiadë.
“Shpresat janë deri në fund për peshëngritjen, pasi kanë edhe një Kampionat Evropian në dispozicion, në të cilin duhet të kenë një rezultat në 3 vendet e para që të kualifikohen për në Olimpiadë”, – ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello, i cili ka shtuar se Olimpiada e Rios do të sjellë një kënaqësi të dyfishtë për shqiptarët, pasi në të do të marrë pjesë me të drejta të plota edhe Kosova.
Kjo është përmbledhja e intervistës që Bello dha për Albaniansport.net, ndërsa intervistën e plotë, me video dhe tekst, do t’jua sjellin në dy pjesë, të hënën dhe të martën.