AlbanianSport.com 14.09.2015 17:40
ASNN – Volejbollistja e mirënjohur shqiptare dhe padyshim njëra nga më të spikaturat e momentit, Arjola Prenga, ka vendosur ta vijojë edhe më tej aventurën e saj norvegjeze, por duke ndërruar adresë dhe, natyrisht, duke rendur pas një sfide të re. Sportistja shqiptare, e cila përjetoi 3 sezone të jashtëzakonshme në volejbollin norvegjez, duke u shpallur dy herë kampione, duke fituar një herë Kupën e Norvegjisë dhe duke u kurorëzuar dy herë kampione e Ligës Nordike me Stod Volejin, tashmë ka zgjedhur të veshë fanellën e një tjetër skuadre, Randabergut.
Një gjë të tillë, 29-vjeçarja e ka pohuar ekskluzivisht për AlbanianSport.com, duke sqaruar se tashmë ka nisur stërvitjen me skuadrën e re, në pritje të sezonit të ri të Kampionatit Norvegjez të Volejbollit për Femra. Ajo që duhet theksuar është se ky sezon i këtij kampionati, që nis më datë 10 tetor, është mjaft i ndryshëm krahasuar me atë të shkuarin, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Kështu, në sezonin e ri do të konkurrojnë 7 skuadra, nga 8 që ishin sezonin e shkuar. Po kështu, përveç Stod Volejit, kampiones në fuqi, edhe dy skuadra të tjetra janë shkrirë.
Ndërkaq janë shtuar dy skuadra të tjera. Randabergu, skuadra aktuale e Arjolës, ishte njëra nga surprizat e sezonit të shkuar në Kampionatin Norvegjez, duke u renditur e 4-ta në të parin sezon në këtë nivel, me 9 fitore dhe 5 humbje në 14 javë. Me shkrirjen e ish-skuadrës së Prengës dhe kampiones në fuqi, Stod Volejit, Randabergu mbetet sfidantja kryesore e Oslo Volejit, skuadrës që i ka dhënë tonin gjatë këtyre 5 viteve të fundit rrjetës norvegjeze të femrave. Dhe pikërisht me rivalen kryeqytetase, Arjola Prenga do ta nisë sezonin e ri me fanellën e Randabergut.