AlbanianSport.com 04/10/2018 22:55
ASNN – Liga e Evropës është rikthyer të enjten me takimet e dyta në grupe dhe, në grupin H, përballja e dy kryesueseve pas ndeshjeve të para, Eintrahtit të Frankfurtit dhe Lacios, ka ardhur drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe është mbyllur me rezultatin 4-1 në favor të gjermanëve.
Ka qenë ndeshja e përzgjedhur e mbrëmjes dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar dhe sfida Eintrahti i Frankfurtit-Lacio e ka përligjur epitetin e takimit më të bukur të mbrëmjes. Në fakt, ndeshja fillon me gol, pasi është Da Kosta që do të përfitojë nga një vendosje e gabuar në zonë e mbrojtjes italiane dhe nuk e ka të vështirë të shënojë.
Por Lacio do të reagojë gradualisht dhe pas, 19 minutash, do të rikthejë barazinë në shifra, pas golit të shënuar nga Parolo. Megjithatë, epërsia e skuadrës së kryeqytetit të Italisë do të zgjasë vetëm 5 minuta, pasi gjermanët do të rigjejnë epërsinë, me anë të Kostiçit.
Me këtë epërsi të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, të cilat do ta lënë Lacion me 10 lojtarë, pasi Basta merr kartonin e dytë të verdhë dhe ndëshkohet me karto të kuq. 45 minutat e dytat do të shohin vendasit, që duke patur edhe epërsi numerike, të kërkojnë një tjetër gol, që e kanë gjetur në minutën e 52-të, me anë të Joviçit.
Sikur të mos mjaftonin golat, italianët do të humbasin edhe një tjetër lojtar, pasi në minutën e 58-të, edhe Korrea ndëshkohet me karton të kuq, duke e lënë Lacion me 9 lojtarë. Gjysmëora e mbetur e lojës do të shohë gjermanët të administrojnë epërsinë madje të gjejnë edhe një gol të 4-t në fund dhe Eintrahti i Frankfurtit mund Lacion 3-1, duke marrë i vetëm kreun e renditjes së grupit H, me pikë të plota, 6.