AlbanianSport.com 24.12.2014 11:25
ASNN – Egnatia e ka mbyllur fazën e parë të Kategorisë së Dytë në një pozicion të vështirë në renditje, aq sa duket se do të rrezikojë dhe mbijetesën. Në ndeshjen e fundit, rrogozhinasit janë mundur nga Orikumi, 3-1.
Por kjo humbje i ka bërë tifozët rrogozhinas të ndjeshëm për gjendjen e vështirë që po kalon skuadra dhe jo vetëm kaq, por dhe të qartë në kërkesat e tyre që skuadra të bëjë kthesë.
Aktualisht Egnatia, pas dorëheqjes së trajnerit Erind Tosku, fill pas humbjes me Përmetin, ka mbetur pa trajner. Megjithatë të gjithë besojnë se gjërat do të ndryshojnë për mirë në skuadrën rrogozhinase.
“Në fazën e dytë shpresojmë të jemi krejtësisht ndryshe, – kanë thënë tifozët rrogozhinas nëpër rrjetet sociale. – Pra të kemi një tjetër fytyrë, sepse me këtë pozicion që kemi aktualisht në renditje, do të jetë më shumë se sa e vështirë qëndrimi në Kategorinë e Dytë.”
“Ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi Forca Egnatia”, – kanë përfunduar tifozët rrogozhinas për gjendjen e mjeruar që po kalon Egnatia.