AlbanianSport.com 29.05.2015 14:35
ASNN – Futbollistja me prejardhje shqiptare, Floriana Ismaili, bashkë me përfaqësuesen e Zvicrës do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit për Femra që fillon nga 7 qershori 2015 në Kanada.
“Sigurisht se jam e emocionuar, – është shprehur sulmuesja e Zvicrës për mediat vendase. – Jam e lumtur që po marr pjesë, por natyrisht është edhe një përgjegjësi si për mua, ashtu edhe për gjithë skuadrën e Zvicrës.”
E vetmja shqiptare në përfaqësuesen zvicerane të futbollit femrave, teksa te meshkujt janë disa syresh, Floriana, aktualisht në mendje ka vetëm paraqitjen dhe fitoret me ekipin e saj në kampionatin botëror.
“Dëshira ime është që të shkojmë deri në finale, por do të jemi të kënaqur nëse arrijmë edhe në çerekfinale të kampionatit”, – ka përfunduar futbollistja me prejardhje shqiptare, Floriana Ismaili.