AlbanianSport.com 16.10.2015 22:10
ASNN – Fushata “He for She”, apo thënë shqip, “Ai për Atë”, ka përfshirë edhe sportin shqiptar. Kjo fushatë ndërgjegjësimi për barazinë gjinore, synon të përfshije edhe meshkujt si agjentë të arritjes së kësaj barazie, duke i inkurajuar ata të veprojnë kundër pabarazisë me të cilët përballen sot në botë gratë dhe vajzat.
Kjo fushatë, e ndërmarrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Gratë, synonte që brenda korrikut 2015 të përfshinte 1 milionë burra dhe djem, objektiv ky që nuk u përmbush dot të kohë. Megjithatë, kjo fushatë ka gjetur mbështetje edhe në sportin shqiptar.
Peshëngritësi Erkand Qerimaj dhe atletja Luiza Gega janë përzgjedhur nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si ambasadorë të kësaj kauze. Në mesazhin e tij, kampioni shqiptar i Evropës, Qerimaj, ka theksuar se forca e një mashkulli nuk qëndron në ngritjen e një peshe, por në respektimin e të drejtave të vajzave dhe grave.
Ndërsa Gega ka vlerësuar mbështetjen që i kanë dhënë në jetë djemtë dhe burrat, duke theksuar se barazia gjinore gjen zbatim edhe në sport. Pjesë e kësaj fushate anembanë botës janë bërë edhe mjaft politikanë, siç është në vendin tonë rasti i zëvendës-kryeministrit Niko Peleshi.