Gjergj Vyshka 23.09.2014 12:30
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, nëpërmjet faqes së saj në internet, ka lajmëruar se 15 shtete evropiane kanë firmosur të enjten e 18 shtator konventën lidhur me manipulimet e rezultateve sportive. Në fakt ka qenë një iniciativë e Këshillit të Evropës, teksa në Maglingen të Zvicrës, ka zhvilluar konferenën e 13-të të Ministrave përgjegjës për sportin.
Atje ku duket se Shqipërinë e ka përfaqësuar zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, si dhe specialistja e drejtorisë së sportit në atë ministri, Violeta Shqevi. Në këtë konferencë axhenda ka qenë e mbështetur në tre pika, të cilat kanë qenë si më poshtë: Korrupsioni në qeverisjen e sportit, problemet aktuale të politikave të bashkëpunimit gjithëevropian, firmosja e konventës mbi manipulimin e veprimtarive sportive nga 15 shtete.
E ato ishin Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Danimarka, Finlanda, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Lituania, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Rusia, Serbia dhe Zvicra. Ndoshta kështu do të kemi dhe sport më të pastër të paktën në Evropë.