Nga Gjergj Vyshka 25.01.2015 14:35
Duket se fenomeni i qenve rrugaçë nuk ka ndërmend të zhduket ndonjëherë nga ish-kompleksi “Dinamo”. Në mungesë të Sopotit, që dy ditë rresht duket si i hallakatur, atje ku secili bën stërvitje për hesap të vet, janë rreshtuar qentë në fushën e stërvitjes, teksa kanë qenë në pritje të “trajnerit”.
Një tufë prej gati 6-7 qensh janë ndarë në fushë duke u vendosur në mbrojtje, në mesfushë dhe në sulm. Sigurisht që deri në momenti që nuk ka pasur njeri në fushën e stërvitjes kanë qenë të qetë, por kur dy lojtarë të Dinamos janë turrur drejt bankinës për t’u zhveshur, ata gati janë sulur për t’i kafshuar futbollistët blu.
Për fat të mirë pa dëm, sepse një nga punëtorët e Dinamos i ka vënë përpara dhe i ka zhdukur në fusha e stërvitjes, atje ku blutë më pas kanë vijuar të qetë stërvitjen e tyre. Kohë më parë drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, e pat çuar një shkresë për Bashkinë e Tiranës për eliminimin e tyre.
Por gjithsesi ata janë përsëri të rreshtuar për stërvitje në ish-kompleksin “Dinamo”…