AlbanianSport.com 19/09/2019 23:55
ASNN – Realizohen plot 40 gola në 12 ndeshje, gjithçka erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së. Ashtu si ndeshjet e orës 19:00, edhe ato orës 21:00 të 6 grupeve të dyta të Liga e Evropës kanë qenë edhe më të begata, teksa janë shënuar plot 40 gola në 12 takime. Të enjten ka nisur fazën e grupeve dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë të gjitha emocionet nga ky sezon i veprimtarisë së dytë të futbollit të klubeve të kontinentit.
6 grupet e dyta i kanë luajtur takimet e para duke nisur nga ora 21:00 dhe, në grupin G, Porto nuk ka gabuar në shtëpi, duke e mundur skuadrën zvicerane të Jang Bojs të Bernës me rezultatin 2-1, ndërsa edhe Gllasgou Rejnxhërs ka fituar minimalisht në shtëpi ndaj Fejënordit. Në grupin H, Espanjoli dhe Ferencvaroshi kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila, kurse në duelin tjetër, Ludogoretsi i Razgradit ka shtangur 5-1 CSKA-në e Moskës.
Edhe në grupin I, Genti dhe dhe Volfsburgu kanë korrur fitore në fushën e vet, por, teksa belgët kanë vuajtur për të mundur 3-2 Sent Etjenin, gjermanët kanë thyer 3-1 Oleksandrijën. Në grupin J, Borusia e Mënshengladbahut është mundur thellë 0-4 në Gjermani përballë Volfsbergerit, ashtu sikundër ka triumfuar me të njëjtat shifra në shtëpi Roma ndaj Istambul Bashakshehirsporit.
Në grupin K, Beshiktashi është mundur 2-4 në Sllovaki përballë vendasve të Sllovan Bratisllavës, ndërsa portugezët e Bragës kanë mundur minimalisht Volverhempton Uondërërs. Dhe, së fundi, në grupin L, Mançester Junajtid bëri detyrën e shtëpisë, duke mundur minimalisht Astanën, ndërsa Partizani i Beogradit dhe AZ Alkma’ari kanë shënuar nga dy gol, por kanë ndarë nga një pikë secila