AlbanianSport.com 05/05/2020 21:40
ASNN – Klube austriake janë lejuar të rifillojnë stërvitjet nga 22 prilli, duke rritur shpresat për vazhdimin e kampionatit, ndonëse pa shikues. Protokolli mjekësor i përgatitur nga Bundesliga e Austrisë ka parashikuar që, nëse një lojtar teston pozitiv, atëherë ai do të ndahet nga pjesa tjetër e skuadrës, por bashkëlojtarët do të vazhdojnë stërvitjet nëse rezultojnë negativë. Por Liga Profesioniste e Futbollit e Austrisë ka thënë se nuk do të jetë në gjendje të rifillojë garat nëse qeveria këmbëngul që e gjithë skuadra duhet të futet në karatinë nëse një lojtar rezulton pozitiv me koronavirus.
Drejtori Administrativ i kësaj Lige, Kristian Ebenauer, ka thënë se rregulli i qeverisë është një goditje “nokauti” ndaj shpresave të Bundesligës austriake që ta përmbyllë sezonin aktual apo ta nisë sezonin e ardhshëm. Ai ka shtuar se dilema është se si do të reagohet nëse një lojtar testohet pozitiv me koronavirus. “Ne kemi punuar fortë në javët e fundit dhe kemi marrë sinjale pozitive nga ministria e sportit se do të mund të rifillojmë me ndeshjet në Bundesligë”, – ka thënë Ebenaueri, në intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
“Por, më pas na thanë se nëse një lojtar rezulton pozitiv me koronavirus, atëherë të gjithë në këtë skuadër, e në rast se ai ka qenë i pranishëm në ndeshje, edhe skuadra kundërshtare do të duhet të kalojë 14 ditë në karantinë, – ka vijuar ai. – Ishte goditje “nokaut”, dëshpërim i madh. Nuk është e mundur që liga të operojë me këto kushte.” Ai ka shpjeguar se, pas karantinës, lojtarët duhet të stërviten sërish para se të luajnë një ndeshje. “Nuk mund të kesh një kampionat në atë mënyrë”, – ka thënë ai. Ebenaueri ka shtuar se negociatat me qeverinë do të vazhdojnë.
“Ne po mendojmë dhe po punojmë pa ndalur në këtë drejtim dhe po shohim nëse ka mundësi tjera dhe t’ia tregojmë këto Ministrit të Sportit dhe atij të Shëndetësisë, – ka thënë ai. – Ne ende kemi shpresa se do të kemi rastin të luajmë.” Zyrtari austriak i futbollit thotë se shumë po presin se çfarë do të vendosë Gjermania. “Problemi kryesor është karantina dhe vetëdija se nuk do të funksionojë nëse gjithë lojtarët futen në karantinë, – ka thënë Ebenaueri. – Kjo duket se është pyetje kyçe gjithandej dhe të gjithë po presim se si do të vendosë Gjermania.
“Pra, nëse gjithë skuadra duhet të futet në karantinë apo jo, – ka vijuar ai. – Mendoj se qeveria do t’i kushtojë vëmendje të veçantë se çfarë do të bëjë Gjermania.” Drejtori Administrativ i Ligës Profesioniste të Futbollit ka treguar se ndeshjet pa shikues nuk janë ideale në Austri, pasi 47 % e buxhetit të klubeve vijnë nga sponsorët dhe shitjet e biletave, e vetëm 17 % nga të drejtat televizive. “Ne nuk mund të harrojmë se çdo ndeshje pa shikues i kushton klubeve, – ka kujtuar Ebenaueri. – Klubet jetojnë nga të ardhurat nga tifozët dhe sponsorët.”