AlbanianSport.com 21.10.2015 10:05
ASNN – Të martën në mbrëmje janë luajtur ndeshjet e treta në grupet E, F, G dhe H të Ligës së Kampioneve, midis të cilave spikat përballja e Londrës midis Arsenalit dhe Bajernit të Mynihut, që u fitua nga vendasit me rezultatin 2-0. Gjithsej, të martën u shënuan 23 gola në 8 ndeshje, ndërsa takimet e treta të grupeve A, B, C dhe D luhen sonte dhe, midis tyre, spikat superpërballja e grupit A midis Paris SG-së dhe Realit të Madridit.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Ligës së Kampioneve, luan në mesjavë ndeshjet e treta të fazës së grupeve dhe, të martën, Në grupin E, Barcelona ka qenë mysafire në Bjellorusi, ku ka fituar 2-0 ndaj vendasve e BATE Borisovit, ndërsa në takimin tjetër, Roma është përballur në Gjermani me skuadrën vendase, Bajer Leverkusenin, në një ndeshje që ka dhuruar një festival golash, pasi është mbyllur në barazim 4-4.
Në grupin F, spikati superpërballja Arsenal-Bajerni i Mynihut, që u fitua nga londinezët me rezultatin 2-0, ndërsa në duelin tjetër i mbrëmjes, Dinamo e Zagrebit është mundur minimalisht nga Olimpiakosi. Në grupin G, Çellsi ka qenë mysafir në Kiev për t’u ndeshur me Dinamon, në takimin që është mbyllur me rrjeta të paprekutra, kurse Porto ka mundur 2-0 në shtëpi Makabin e Tel Avivit.
Kurse në grupin H, Valencia ka fituar 2-1 në “Mestaja” ndaj belgëve të Gentit, ndërsa Lioni ka vizituar Shën Pjetërburgun për t’u përballur me Zenitin vendas, duke u mundur me rezultatin 1-3. Ndeshjet e treta të grupeve A, B, C dhe D luhen të mërkurën në mbrëmje dhe spikat superpërballja e grupit A midis Paris Sen Zhërmenit dhe Realit të Madridit.