AlbanianSport.com 05/03/2021 19:25
ASNN – Nga Molla te Broja, sa shumë debutues në Kombëtaren A për ndeshjet e tetorit. Si kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur kaq shumë lojtarë të talentuar që synojnë të arrijnë majat me Kombëtaren dhe të shkruajnë historinë e futbollit kuqezi. Pas rënies së diktaturës në fillim të viteve 1990 shumë shqiptarë emigruan në vende të ndryshme të Europës. Me kalimin e viteve ata nisën të integroheshin plotësisht në vendet ku ishin shpërngulur dhe nisën të krijonin familjet e tyre jashtë kufijve të atdheut.
Pikërisht fillimi i viteve 2000 është pikënisja e një gjenerate të re për futbollin shqiptar me talente që janë lindur dhe formuar si futbollistë në vendet ku familjet e tyre kanë hedhur rrënjë. Janë talente që vijnë nga vende si Italia, Greqia, Gjermania, Anglia, Zvicër, etj. Pothuajse të gjithë kalojnë përmes filtrit të krijuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që ka ngritur zyra me përfaqësues të saj në të gjitha vendet e kontinentit ku jetojnë shumë familje shqiptare e të cilët janë përgjegjës për zbulimin e futbollistëve të rinj.
Është shumë e rëndësishme që futbollistët të evidentohen që në moshë të vogël, pasi rreziku është i madh që ata të “rrëmbehen” nga kombëtaret e vendeve ku janë lindur e rritur. Një shqetësim të tillë e kishte shprehur edhe trajneri kuqezi, Edoardo Reja në prag të nisjes së edicionit të Nations League vitin e kaluar, kur sapo kishte ftuar në Kombëtare një lojtar si Ramen Çepele, mbrojtësin 17-vjeçar të rritur tek Interi i Milanos, e që u transferua në Gjermani te Hanoveri.
Një futbollist që ishte ndërkohë në xhiron e lojtarëve të kombëtares italiane të moshave. “Është rasti i 17-vjeçarit që kam thirrur, kam folur me prindërit e tij, sepse ai ishte pjesë e kombëtares italiane dhe kemi pasur pak vështirësi që ta bindnim, – pati thënë italiani. – Por Çepele është një lojtar që në të ardhmen mund të jetë i rëndësishëm për Shqipërinë. Kam kërkuar dhe ende po kërkoj dhe kemi monitoruar në arenën ndërkombëtare edhe lojtarë të datëlindjeve 2004, 2005 edhe të 2006 që mund të jenë eventualisht pjesë e kombëtares.”
“Por, dikush luan në Itali, dikush në Francë dhe lindin në këto vende, bëhet e vështirë kur i kërkohet nëse duan të bëhen pjesë e Kombëtares shqiptare, – ka pohuar veterani i stolit kuqezi. – Sepse presin fillimisht ftesën e vendit ku janë lindur. Por unë po punoj dhe mungon ende ndonjë emër tjetër në listë, sepse kam folur me disa prindër dhe me disa djem që luajnë në Itali dhe janë pjesë e kombëtareve italiane të moshave, të cilit nuk ua them dot emrat. Po punoj për momentin me këto emra dhe për të ardhmen disa edhe më të rinj.”