AlbanianSport.com 26/01/2024 20:45
ASNN – Neritan Novi dhe Dhiogjen Muça dhunojnë 21-vjeçarinAlbi Selimaj. Dy trajnerë futbolli u vunë në pranga menjëherë të premten në Sarandë pas marrjes së njoftimit se kishin dhunuar një futbollist. Ata akuzohen për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, gjyqtarit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim. Kështu, dy trajnerë të skuadrës së Butrintit, Neritan Novi dhe Dhiogjen Muça janë arrestuar nga policisë pasi goditën me grushte futbollistin e ekipit Albi Selimaj.
Sipas policisë, dy trajnerët u vunë në pranga menjëherë pas marrjes së njoftimit se futbollisti ishte dhunuar. Ata akuzohen për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se një futbollist ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje, menjëherë kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, – thuhet në njoftimin e policisë.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Albi Selimaj, 21 vjeç (futbollist) ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje futbolli, nga 2 trajnerët e ekipit të futbollit në të cilin ai ishte pjesë, – vijon njoftimi. – Aktualisht 21-vjeçari ndodhet në spitalin e Sarandës, në kujdesin e mjekëve. Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve Neritan Novi, 52 vjeç (trajner i parë) dhe Dhiogjen Muça, 45 vjeç (përgatitës atletik), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim.”
“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë”, – përfundon njoftimi i Policisë.