AlbanianSport.com 08.09.2015 12:20
ASNN – Në barazimin e Shqipërisë në Danimarkë ra në sy edhe fakti se te skandinavët luante titullar një shqiptar, Riza Durmishi. Mbrojtësi luan me Brondbin në Danimarkë dhe ishte ndër më të mirët në fushë, ndërkohë që pas ndeshjes u shpreh i emocionuar për ndeshjen dhe shprehu keqardhjen që Danimarka nuk fitoi. Kaq mjaftoi që, siç ndodh rëndom, Durmishi të etiketohej si qorrazi “tradhtar” nga tifozët shqiptarë anembanë, por vetë mbrojtësi i talentuar me origjinë nga Tetova, duke folur për gazetën shqiptare që botohet në Maqedoni, “Lajm”, ka shpjeguar disa gjëra, që ndoshta pak njerëz i dinë.
“Nuk u ndjeva mirë kur dëgjoja ofendimet që më bënin tifozët shqiptarë, sepse ata nuk e dinë historinë time që nga fëmijëria e deri sa u rrita, dhe përse kam vendosur të zgjedh Danimarkën para Shqipërisë, – ka deklaruar ai për median në fjalë. – Kur do ta mësojnë tani të vërtetën besoj se do të pendohen për vërshëllimat që mi drejtonin atë mbrëmje. E vërteta është se Federata Shqiptare e Futbollit kurrë nuk më ka ftuar. Ju betohem se asnjëherë nuk më kanë bërë asnjë telefonatë. Ku ka shqiptar që nuk dëshiron të luaj për Shqipërinë. Edhe nga damarët e mi rrjedh gjaku i shqiptarit, edhe unë jam shqiptar. Por s’jam ftuar.”
“T’ju them edhe një sekret, – ka vijuar ai. – Mua para disa muajsh më ftoi Maqedonia, më është prezantuar një trajner shqiptar i Maqedonisë, por unë i thashë “Jo”. E tani, kur unë bëj zgjedhjen, sepse s’kam nga t’ia mbaj, FSHF-së i del gjumi. Tani është vonë.” Kështu shprehet mbrojtësi danez me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Durmishi, i cili ka mbetur i prekur nga trajtimi i tifozëve: “Nuk ndjehem aspak tradhtar, por një shqiptar i vërtetë. Jam me rrënjë shqiptare nga Tetova dhe siç ju thash edhe më lartë, zgjedhjen e kam bërë, pasi kam parë se askush nga drejtuesit e FSHF-së nuk kishin shprehur interesim për mua.”
“Unë këtu jam rritur, jam shkolluar dhe kur më erdhi koha për të vendosur askush nuk më është paraqitur, prandaj vendosa të luaj për Danimarkën, sepse më duhej të mendoja për perspektivën time si futbollist. Dua të sqaroj edhe një gjë, se kritikat e fundit që janë bërë ndaj meje nga ana e medieve dhe tifozëve shqiptar kanë dalë pas deklaratave të mia në mediat daneze, ku këto të fundit kanë shtrembëruar deklaratat që u kam dhënë atyre”, theksoi mbrojtësi shqiptar nga Tetova i përfaqësueses së Danimarkës.
Durmishi rrëfen se e di himnin shqiptar dhe ka pasur emocione të mëdha edhe mbrëmjen e ndeshjes, ndërkohë që jep përshtypjet e tij për lojtarët tanë dhe ka një urim: “Lorik Cana ishte një futbollist i madh, që i motivonte bashkëlojtarët e tij. Pastaj më pëlqeu portieri Berisha dhe Taulant Xhaka. Në përgjithësi Shqipëria ka një kombëtare cilësore, nuk është ajo Shqipëri e viteve të kaluara, por një skuadër me lojtarë që luajnë në ekipe evropiane. Uroj që kuqezinjtë të fitojnë, sepse edhe unë i gëzohem suksesit të Shqipërisë. Shpresojmë që në Euro 2016 të kualifikohemi të dyja përfaqësueset.”