AlbanianSport.com 06/03/2024 20:15
ASNN – Intervista për “SportItalia”, Presidenti Duka: “Asllani, një Modriç i vogël. Presim Kumbullën, Gjimshiti, një lider.” Dëmtimi që detyroi mesfushorin turk, Hakan Çalhanollu, të mungonte në 3 ndeshjet e fundit të Interit fillimisht i kishte shqetësuar jo pak tifozët zikaltër.
Ndalesa e tij, megjithatë, kishte anën pozitive të medaljes: Kristjan Asllani, i thirrur për ta zëvendësuar, pati shansin të luante si titullar në disa ndeshje delikate, me Leçen, Atalantën dhe Xhenoan, duke dhuruar paraqitje tejet pozitive dhe duke gjetur madje golin të hënën e kaluar, i pari për të në Serie A me fanellën zikaltër.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane “SPORTITALIA” ku ka folur për yllin shqiptar të Interit, si dhe rikthimin në fushë pas dëmtimit të gjatë të Marash Kumbullës dhe lojtarit të preferuar te Gasperinit tek Atalanta, Berat Gjimshiti.
Kjo është pjesa e dytë e intervistës së presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për median italiane në fjalë, që AlbanianSport.com ua sjell në 3 pjesë.
– Tek Atalanta thuajse të gjithë i nënshtrohen procesit të rotacionit mes fushës dhe stolit, por Gjimshitit i ndodh shumë rrallë. Çfarë mendoni për të?
– Berat Gjimshiti është kapiten i Kombëtares shqiptare dhe shiritin e ka merituar plotësisht për kontributin e tij të vyer fushën e lojës me fanellën kuqezi. Ai është një djalë i shkëlqyer dhe një futbollist i nivelit botëror, i cili ka karakteristikat e një lideri të vërtetë në fushë. Nuk habitem fare me rendimentin e tij pozitiv dhe për faktin që është titullar i padiskutueshëm tek Atalanta. Edhe me Kombëtaren ai është një nga shtyllat kryesore të skuadrës. Meriton gjithçka, sepse është një futbollist i kompletuar dhe ka punuar shumë për të ardhur deri këtu. Rritja e tij në sezonet e fundit ka qenë graduale, e qëndrueshme dhe e konsiderueshme. Arrin të bëjë një paraqitje pozitive tnë çdo ndeshje, si me klubin ashtu edhe me Kombëtaren shqiptare. Diçka e rrallë për një futbollist profesionist. Uroj shumë të vazhdojë të luajë në nivele të larta për një kohë sa më të gjatë.
– A keni folur me Kumbullën pas rikthimit në fushë? A do të jetë ai gati për finalet e “Euro 2024”-ës?
– Më vjen mirë që është rikthyer në fushë pas atij dëmtimi të rëndë që pësoi vitin e kaluar. Ishte trishtuese dhe sapo mora lajmin atëherë i kam uruar shërim të shpejtë. Është një nga të rinjtë me perspektivë të Kombëtares shqiptare dhe një futbollist i rëndësishëm për ne. Besoj se mori vendimin e duhur për t’u transferuar te Sasuolo, ku mund të ketë më shumë minuta loje. Kumbulla është djalë ambicioz dhe kam bindjen se do të punojë fortë për të rigjetur formën e mëparshme dhe për të qenë gati për finalet e “Euro 2024”. Ka kohën e mjaftueshme për të rikuperuar kohën e humbur për shkak të dëmtimit dhe për t’u përgatitur sa më mirë. Mezi e presim ta kemi sërish në Kombëtare për të dhënë kontributin e tij me fanellën kuqezi.