AlbanianSport.com 05/03/2021 23:55
ASNN – Kënaqësinë për brezin e ri nuk e ka fshehur as Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka theksuar se me këto talente mund të synohet edhe kualifikimi për në fazën finale të “EURO 2024”-ës. Ai ka shprehur bindjen se kjo gjeneratë të mbush e optimizëm dhe na bën të ndihemi mirë për të ardhmen. “Objektivi kryesor duhet të jetë 2024-ra, – thotë kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend. Objektivi ynë i merituar, duke parë brezin, qoftë të Nën-21-vjeçarët, qoftë edhe lojtarët me ekipin e parë, duken premtues që do të kemi një ekip të mirë për t’u kualifikuar në 2024-ën.”
“Kemi një brez të ri të mirë, pra që premton, jo vetëm ato që luajnë në ekipin e parë, të cilët kanë ardhur nga Shpresat, por janë edhe disa futbollistë të tjerë që mund të kalojnë në ekipin e parë për t’u bashkuar, për t’u përshtatur dhe për të qenë në perspektivë kjo skuadër që unë them për 2024, – ka vijuar ai. – Nëse do shohim ndeshjet e fundit të ekipit Shpresa, jo vetëm me rezultate, por edhe me lojëra të mira dhe me futbollistë që vërtetë spikasin, këto do të ftohen në ekipin e parë. Kjo të mbush me një lloj optimizmi.
Presidenti Duka ka shtuar se asgjë nuk vjen nga rastësia dhe se ky është rezultat i një pune të mirë që bëhet prej vitesh nga FSHF-ja, por edhe klubet shqiptare. “Ne i mbështesim talentet, – ka theksuar ai. – Ata janë fryt i punës së përbashkët i gjithë futbollit shqiptar dhe janë e ardhmja e ekipit të parë. Kemi parë shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, të cilët kanë dëshirë për të luajtur dhe japin maksimumin në fushë. Kemi parë lojtarë që shkëlqejnë vetëm falë seriozitetit, dëshirës dhe përkushtimit maksimal”.
Në të njëjtën linjë edhe trajneri i ekipit kombëtar Shpresa, Alban Bushi, i cili ka deklaruar se Kombëtarja A do të ketë prurje të mëdha në të ardhmen duke parë talentet e shumta që po rriten te moshat. Sipas tij, prioriteti kryesor i ekipit të Nën-21-vjeçarëve mbetet furnizimi i Kombëtares A dhe se zgjedhjet nuk mungojnë. “Ekipi i Shpresave, sa herë që grumbullohet ka 10 ose 12 lojtarë të rinj, disa i merr Kombëtarja A dhe kjo tregon që është bërë një punë e mirë tek ekipet e moshave të Shqipërisë”, – thotë ai.
“Federata e Futbollit ka ndërtuar një strategji shumë të mirë, duke krijuar ekipe nga Nën-13-vjeçarët që do të marrë pjesë në kampionatin e Kategorisë Superiore këtë vit, tek Nën-15, Nën-17, Nën-19 dhe Nën-21-vjeçarë, – ka vijuar ai. – Kjo është një punë që ka filluar herët dhe jep frytet e veta tani. Sa herë që kemi mungesa, ne nuk është se i ndjejmë ato mungesa. Përsëri ekipi është mirë dhe kjo tregon që kemi një brez që po vjen dhe kemi shumë alternativa.”
“Kjo do të thotë që ekipi kombëtar A nuk do të vuajë në të ardhmen”, – përfundon Bushi, duke shtuar se Shqipërisë i ka ardhur në brez, duke filluar nga vitlindja 1998 e deri te ajo 2002, që po spikasin në ekipet e moshave. Me pak fjalë e ardhmja e futbollit shqiptar premton shumë.