AlbanianSport.com 22/01/2021 19:25
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka nënshkruar të premten një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sporteve të Tiranës. Kjo marrëveshje e lidhur mes dy prej institucioneve më të rëndësishme të sportit në vend, ka si objekt bashkëpunimin e palëve në veprimtaritë sportive dhe veprimtaritë kualifikuese dhe trajnuese të organizuara nga FSHF dhe UST duke kontribuar me të gjithë kapacitetin infrastrukturor, bazën materiale dhe burimet njerëzore të disponueshme. Federata Shqiptare e Futbollit jo vetëm do të bashkëpunojë me stafin akademik në trajnime dhe kualifikime të ndryshme, por do të organizojë edhe praktika profesionale për studentët, në bazë të propozimeve të Universitetit.
Gjithashtu, në bashkëpunim me UST-në, do të realizohen investime të përbashkëta në terrene sportive, si dhe do të pasqyrohen të dhënat e Federatës dhe mundësitë për trajnime apo punësime pranë organizatës së futbollit. Duke marrë fjalën në nisje të aktivitetit Presidenti Duka tha se kjo marrëveshje është fryt i një pune apo e nismës së vetë Rektorit Kasa dhe foli për një projekt të ri, që mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike. “Kjo ceremoni e firmosjes së kësaj marrëveshjeje është fryt i një punë apo e nsimës së vetë rektorit, të cilin dua ta falënderoj për vizionin e tij dhe hapjen e universitetit që do t’i shërbejë si sportit edhe studentëve”, – ka thënë ai.
“Së fundmi ne kemi iniciuar edhe një projekt të ri, i cili mbështet ose financon kërkimet shkencore të stafeve akademike, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend. – Për këtë ne kemi shpallur projektin, kemi kërkuar aplikime dhe nëpërmjet kësaj ceremonie i ftoj edhe një herë të gjithë stafet akademike, jo vetëm të Universitetit të Sporteve, por të të gjitha Universiteteve për të aplikuar në këtë projekt të Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, i cili konsiston në financimin e këtyre studimeve apo kërkimeve shkencore deri në vlerat 20.000 euro. Unë besoj se të gjitha këto do t’i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë në përgjithësi dhe sportit në veçanti.”
Duka theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe zhvillimet pozitive që do të ketë në drejtim të sportit, duke thënë: “Për ne është një ditë shumë e rëndësishme sot. Firmosja e aktit të kësaj marrëveshjeje është fryt i punës së ekspertëve, i diskutimeve, e cila konsiston në bashkëpunimin, shfrytëzimin e të gjitha pajisjeve apo laboratorëve që ka Universiteti i Sporteve në shërbim të ekipeve të futbollit, trajnerëve të futbollit; në futjen e lëndëve të ndryshme apo kurrikulës në Universitetin e Sporteve. Do të fillojë me një master për video-analistë së shpejti dhe do të shoqërohet edhe me programe të tjera në UST. Kjo marrëveshje parashikon edhe një bashkëpunim në përmirësimin e infrastrukturës në Universitetin e Sporteve.”
“Kjo bëhet nëpërmjet fondeve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe donatorëve tanë, FIFA dhe UEFA dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Edhe njëherë falënderoj Rektorin Kasa, falënderoj stafin akademik për kontributin dhe gjithë bashkëpunimin dhe për klimën shumë të mirë të krijuar së fundmi në marrëdhëniet me Federatën e Futbollit dhe me sportin në përgjithësi. Duke ju uruar sukses në punën tuaj dhe duke ju uruar që të përfundojë sa më parë kjo pandemi, pasi kjo ceremoni mbase duhet të ishte me më shumë njerëz, me më shumë media dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit dhe të kemi aktivitete sa më normale, jo vetëm të tilla por edhe sportive”, – ka përfunduar fjalën e tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.